Itali, dyfishohet energjia – Në korrik 45 euro për kwh, në gusht 85 euro për kwh

I nxehti afrikan dhe thatësira e tejzgjatur ka gjeneruar një shtrenjtim të çmimeve të energjisë në Itali, deri në dyfishim. Kjo gjë po ndihet që në ditët e para nga kompanitë që e blejnë drejtpërdrejtë në bursë energjinë elektrike.
Për familjet, dyqanet dhe ndërmarrjet e vogla, dyfishimi i çmimeve të energjisë do të ndihet pas pushimeve, në muajt e vjeshtës, kur të vijnë faturat e para.
Kërkesa për energji ndërkohë mbetet mjaft e lartë, në 55.655 megavat, shumë pranë rekordit të vitit 2015. Ekspertët theksojnë se, në temperatura mbi 25 gradë kërkesa rritet mes 800 dhe 1000 megavat.
Parimi në këtë rast është shumë i thjeshtë, efekti i kërkesë-ofertës ka gjeneruar dyfishimin e çmimit të kilovatorës në bursë. Operatori publik i bursës së energjisë elektrike saktëson se, gjatë muajve qershor korrik, çmimi fiksohej në 45 euro për 1000 kw/h.
Vetëm në katër ditët e para të gushtit, çmimi është ngjitur në 85.17 euro, pra thuajse dy herë më i lartë.
Ditën e enjte ndërkohë, çmimi ka prekur nivelin e çmendur të 104 euro mesatarisht, ndërkohë që në orën e pikut arriti deri në 138.2 euro.
Ditën e Premte zbritën në 94.7 euro mesatarisht, pra 51 euro në orët e konsumit të ulët, dhe 120 euro pas orës 20.00.
Një pjesë e madhe e liqeneve ku funksionojnë digat janë boshatisur në masën 95% si pasojë e thatësirës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.