Italia del nga recesioni – Rritet me 0.2% prej industrisë, shërbimeve dhe bujqësisë
Ekonomia italiane u rrit sipër projeksioneve në tremujorin e parë të vitit, duke dalë nga recesioni i tretë në një dekadë.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me një normë tremujore prej 0.2% dhe me 0.1% me bazë vjetore, sipas zyrës kombëtare të Statistikave ISTAT. Ekonomia italiane ishte tkurrur me 0.1% në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit të kaluar, duke e futur ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës në një recesion teknik, që përkufizohet nga 2 tremujorë radhazi të rënies së PBB.
Rimëkëmbja, pavarësisht se e dobët, do të sjellë një lehtësim për koalicionin qeverisës, që po përpiqet të mbajë nën kontroll defiçitin buxhetor dhe borxhin publik, ndërsa mban premtimet e fushatës për të shtuar shpenzimet në mirëqenie. Të dhënat për tremujorin e parë thyen projeksionet për një rritje me 0.1% me bazë tremujore. ISTAT bëri të ditur se industria, shërbimet dhe bujqësia, kishin treguar rritje të aktivitetit.
Të dhënat e muajit të kaluar treguan se tkurrja ekonomike në tremujorin e katërt 2018 erdhi kryesisht nga rënia e madhe e inventarëve, ndërkohë që eksportet, konsumi dhe investimet, kishin treguar rritje. Banka e Italisë bëri të ditur së fundmi se ekonomia është rimëkëmbur lehtë në tremujorin e parë, falë rritjes së prodhimit industrial. Më herët gjatë muajit, Qeveria e përbërë nga lëvizja 5 Yjet dhe Liga, uli projeksionet për rritjen ekonomike vjetore në 0.2% nga 1% që priste më parë.
Italia ka qenë ekonomia me rritjen më të ngadaltë në Eurozonë që prej prezantimit të valutës 20 vite më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.