Italia hap dyert – 30.850 kuota për punëtorët, sipërmarrësit dhe artistët

Qeveria italiane i ka rihapur dyert punëtorëve ekstra komunitarë sezonal. Dekreti i firmosur nga ekzekutivi, do t`i mundësojë 17 mijë qytetarëve nga 28 vende të ndryshme të botës që të punojnë në Itali në sektorin e agro-bujqësisë, turizmit dhe hotelerisë.
Një ndër 28 vendet e listës është edhe Shqipëria. Në total, janë 6 vende europiane të përfshira në listë, ku veç Shqipërisë radhitet edhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi apo Serbia.
Punëtorët që do të fitojnë të drejtën të punojnë përkohësisht në vendin fqinj, do të duhet të rikthehen menjëherë pasi të mbarojnë punë. Aplikimet janë hapur që prej mëngjesit të 28 marsit dhe do të mbyllen më 31 dhjetor të vitit 2017, dhe aplikimi mund të bëhet në faqen e internetit të ministrisë italiane të punëve të brendshme.
Dekreti i flukseve, nuk i mundëson vetëm punëtorëve të punojnë për disa muaj në Itali, por edhe sipërmarrësve që kanë ide inovative që të shpërngulin një pjesë të aktivitetit të tyre apo të krijojnë një aktivitet të ri.
Nga 17 mijë vendet e lira, 2000 vende i janë rezervuar atyre të cilët gjatë 5 viteve të fundit kanë punuar në Itali, dhe që punëdhënësi bën kërkesë që ata të rikthehen. Në total janë 30 mijë e 800 kuota, ku veç 17 mijë individëve do ti jepet mundësia edhe 13 mijë të tjerëve, për punë jo sezonale dhe të pavarur.
Te këta të fundit ka 2400 kuota për disa kategori të caktuara; kryesisht sipërmarrës. Në këtë pikë pranohen investitorët të cilët kanë një plan të qartë investimi në Itali dhe që shuma e investimit nuk është më e vogël se 500 mijë euro.
Këtu përfshihen edhe ata që duan të krijojnë një start-up, profesionistët e lirë, por edhe artistët, ata që kanë arritur një nivel të caktuar fame.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.