Italia injoron “presionet” e BE – Di Maio: Nuk do ketë sanksione. Buxheti nuk ndryshon
Italia bëri të ditur se nuk do t’i bie prehë kërcënimeve të Bashkimit Europian për buxhetin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që zv/Kryeministri Luigi Di Maio hodhi poshtë perspektivën e sanksioneve ndaj vendit. Lideri i partisë populiste 5-yjet tha se është i hapur për dialog, por nuk përmendi lehtësime. Qeveria populiste po përgatitet t’i kthejë përgjigje Komisionit Europian brenda afatit të 13 Nëntorit.
“Të gjithë e dinë që kjo qeveri ka një recetë ekonomike ndryshe nga e kaluara, që do të jetë pozitive për italinë dhe ato që investojnë në Itali. Mendoj që aktualisht nuk po përgatitet gjobë nga Bashkimi Europian për Italinë. Ditën e djeshme ministri italian i ekonomisë kundërshtoi projeksionet e Komisionit për deficitin, për shkak se në aspektin ekonometrik, shifrat janë të gabuara. “
Di Maio shtoi se do të mbahen premtimet për të shtuar kredibilitetin në vend, si të ardhurat bazë për të varfrit dhe ulja e moshës së daljes në pension. Pas skepticizmit nga Brukseli ai tha se qeveria ka besim që objektivi prej 2.4% i deficitit do të arrihet vitin e ardhshëm , për shkak të përshpejtimit të ekonomisë dhe reduktimit të shpenzimeve të panevojshme.
Paralelisht, ministri i Financave Giovanni Tria tha në një seancë në parlament se Qeveria nuk do të ndryshojë objektivat e deficitit dhe se projeksionet e Bashkimit Europian për një deficit prej 2.9% janë të pajustifikuara. Qeveria ka hasur konflikte me komisionin për planet e shpenzimeve dhe ka akuzuar Brukselin për projeksione jo të sakta për ekonominë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.