Italia jep 5 milionë euro për arsimin profesional bujqësor në Fier dhe Lushnje

Është firmosur sot Akordi ndërqeveritar midis Italisë dhe Shqipërisë mbi programin e “Edukimit dhe Formimit Profesional përmes Inovacionit.
Akordi është nënshkruar në Lushnje në praninë e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi dhe Ambasadorit Italian në Tiranë, Alberto Cutillo.
Kjo marrëveshje prek fushën e arsimit profesional dhe parashikon një donacion specifik relativ për këtë fushë në vlerën e 5 milionë eurove.
Përmes këtij akordi do të mundësohet krijimi i një qendre multifunksionale të cilësisë së lartë në sektorin agrar dhe agro-industrial në qytetet e Fierit dhe Lushnjës. Qendra do të përbëjë një resurs të rëndësishëm jo vetëm për territorin dhe banorët e zonës, por do të krijojë një ofertë formuese në nivel kombëtar.
Mbi të gjitha, shkruhet në njoftimin e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, qendra do t’u ofrojë një mundësi shumë të madhe edukimi dhe formimi profesional të rinjve që vijnë nga zonat rurale, duke iu përshtatur kështu kërkesave gjithmonë e në rritje të tregut të punës.
“Kjo ndërhyrje është në linjë me strategjinë e qeverisë shqiptare në këtë sektorë dhe me prioritetet e aksionit italian në Shqipëri”, thuhet në fund të njoftimit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.