Italia korrigjon gabimin – Miraton mini-buxhetin, rrit taksat
Parlamenti italian votoi një mini-buxhet ditën e Enjte, çka përkthehet në një shkurtim deficiti në vlerën e 3.4 miliardë euro. Kjo lëvizje vjen për të plotësuar detyrimet e vendit karshi Komisionit Europian.
Paketa e re, e cila shërbeu edhe si një votë besimi për qeverinë e Paolo Gentilonit, përfshin rritjen e akcizës mbi duhanin dhe lojërat e fatit si dhe përpjekjet për të luftuar evazionin dhe rritur mbledhjen e taksës nga kompanitë e internetit.
Komisioni Europian prej kohësh, kishte paralajmëruar se do të niste një procedurë displinore ndaj Italisë nëse nuk ndërmerrte masat e premtuara për uljen e deficitit.
Senati e miratoi paketën e re me 144 vota në favor, dhe 104 kundër. Më parë i ishte dhënë drita jeshile nga dhoma e ulët e parlamentit.
Masat e reja përkthehen në një objektiv prej 2.1% të deficitit buxhetor gjatë këtij viti, kundër 2,4% që ishte në vitin 2016.
Italia është vendi që ka normën më të lartë të borxhit publik në raport me PBB në Eurozonë pas Greqisë, në 132% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Më parë vendi kishte premtuar një deficit në 1.8%, por më pas miratoi një buxhet ku deficiti projektohej në 2.3%. Kjo lëvizje nxiti edhe zemëratën e Brukselit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.