Italia më optimiste – Banka qendrore rrit projeksionet, falë shërbimeve
Ekonomia italiane, e treta më e madhe në Eurozonë do të rritet me një normë prej 1.4% gjatë këtij viti, që është edhe performanca më e mirë në një dekadë, thotë banka qendrore në vend, që ka rishikuar për të disatën herë projeksionet gjatë këtyre muajve.
Projeksionet e mëparshme flisnin për një normë rritje në 1.3%. Të gjitha institucionet me peshë, si italiane, ashtu edhe të huaja, prej kohësh kanë filluar të rishikojnë projeksionet për ekonominë e vendit, menjëherë pasi vlerësimet e tremujorit të parë u rishikuan nga 0.2% rritje, në 0.4% rritje, duke përmbysur tërësisht situatën.
Në buletinin e fundit mujor, Banka e Italisë pret që edhe gjatë tremujorit të dytë, ekonomia të ruajë të njëjtin hap rritje, në 0.4%.
“Prodhimi i Brendshëm Bruto duket se ka marrë shtysë nga sektori i shërbimeve”, thuhet në buletinin e bankës.
Ndër të tjera, institucioni kryesor i politikave monetare në Itali nënvizon se, edhe sektori i industrial po jep shenja të qarta rimëkëmbje dhe se mund të kontribuojë në ekonomi.
Industria në Itali ka një lidhje mjaft të ngushtë me rritjen ekonomike. Tashmë, projeksionet e bankës së Italisë janë një fraksion mbi ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Pavarësisht kësaj, objektivi i qeverisë italiane mbetet i pandryshuar, në 1.1% rritje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.