Italia, me rritje “anemike”- Ekonomia u zgjerua me 0.2% në T1, prodhimi ra me 0.5%
Ekonomia italiane u rrit me 0.2% gjatë tremujorit të parë të vitit, duke marrë shtysë nga sektori i shërbimeve, thotë Banka e Italisë në raportin e saj të fundit.
Gjatë së njëjtës periudhë kohore, banka projekton se, prodhimi industrial ra me 0.5% në krahasim me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke i dhënë fund dy tremujorëve me radhë në rritje.
“Pasiguria që buron nga faktorët ekonomik dhe politik mbetet sërish pengesa kryesore për rritjen e ekonomisë dhe sipërmarrjes”, nënvizion institucioni qendror i politikave monetare në vend. Gjatë javës ndërkohë, qeveri italiane rriti projeksionet e rritjes ekonomike gjatë 2017-ës, në 1.1%, nga 1% që projektonte më parë. Faktori kryesor në rritjen e ekonomisë së vendit gjatë tre muajve të parë të vitit vlerësohet të jetë performanca pozitive e sektorit të shërbimeve”, thotë banka në raport, duke shtuar se, të dhënat kanë një marzh gabimi në 0.1%. Italia prej kohësh gjendet në një situatë të vështirë ekonomike dhe me një rritje anemike, e cila shpeshherë rrëzon edhe projeksionet.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.