Italia me “terapi gjigante të shokut” – Conte premton masa të jashtëzakonshme përballë koronavirusit
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, premtoi një “terapi gjigante të shokut” për të tejkaluar efektet e koronavirusit, pasi qeveria e tij mbylli pjesën më të madhe të qendrës industriale dhe biznesit, për të luftuar krizën. Komentet e Conte erdhën pasi qeveria vendosi në karantinë rajonin e Lombardisë dhe pjesë të tjera të Venetos, për të ndaluar përhapjen e virusit në Itali, që është vendi më i goditur në Europë. “Ne nuk do ndalojmë këtu, do përdorim një terapi masive të shokut”, tha Conte.
Masat e lajmëruara gjatë fundjavës ishin më të ashprat në historinë e pas-luftës në Itali, dhe reflektojnë përhapjen e shpejtë të virusit, që prej shfaqjes për herë të parë në një qytet të vogël jashtë Milanos muajin e kaluar. Në dy Javë, numri i të infektuarve u rrit në 7,373 dhe vdekjet arritën në 366, duke kaluar kapacitetin e sistemit shëndetësor të vendit. Bursa e Milanos, që ka rënë me 17% që prej përhapjes së virusit, vazhdoi rënien ditë ne Hënë dhe indeksi i FTSEMIB i Italisë humbi 11%.
Italia ndodhej pranë recesionit që përpara shfaqjes së virusit dhe masat po godasin rajonin më të pasur të vendit. Ambienteve të sportit, bareve dhe restoranteve i është kërkuar që të mbyllen dhe fluturimet brenda dhe jashtë aeroportit Malpensa të Milanos, janë pezulluar. Duke reflektuar edhe kërkesat e Francës, Conte tha se limitet e ashpra të huamarrjes së Bashkimit Europian duhet të hiqen, për të lejuar hapësirë fiskale. “Europa nuk mund t’i bëjë ballë një situate të jashtëzakonshme me rregulla të zakonshme”, tha Conte. Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha në nisje të Javës se do të propozojë masa të stimujve për të ndihmuar Europën me ndikimin e koronavirusit. Komisioni Europian i tha Italisë gjatë fundjavës se shpenzimet e planifikuara për të ndaluar koronavirusin, nuk do të numërohen sipas rregullave të buxhetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.