Italia miraton uljen e defiçitit në 3.4 mld euro – Rritja ekonomike do të qëndrojë e dobët

Italia ka miratuar shkurtime shtesë në defiçit për këtë vit, në përputhje me premtimet ndaj Komisionit Europian dhe zyrtarët thonë se ekonomia do të vazhdojë të rritet më një normë modeste këtë vit dhe tjetrin.
Kryeministri i vendit, Paolo Gentilioni tha se shkurtimet shtesë të defiçitit për 2017-ën vlerësohen në 3.4 miliardë euro apo 0.2% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.
Qeveria rriti lehtë projeksionet për rritjen ekonomike të këtij viti në 1.1% nga 1% që ishin më parë. Ekonomia italiane është rritur me 0.9% vitin e kaluar dhe 0.8% në 2015-ën, duke treguar një normë të ngadaltë krahasuar me homologët në Eurozonë.
Si rezultat i shkurtimeve shtesë, objektivi i defiçitit publik për këtë vit u reduktua në 2.1% në raport me PBB, nga 2.3%, ndërsa për vitin tjetër u konfirmua në 1.2%.
Ministri i Ekonomisë, Pier Carlo Padoan, tha se përshpejtimi i këtij viti vjen prej rritjes në investimet publike dhe private.
“Po sigurohemi që llogaritë tona të jenë në rregull. Po ndjekim ritmin e reformave dhe rritjes”, tha Gentilioni, ish-ministër i Jashtëm që zuri vendin e Matteo Renzit në Dhjetor. Italia ka borxhin më të madh publik në Eurozonë pas Greqisë dhe ka patur mosmarrëveshje me Komisionin Europian që prej prezantimit të buxhetit 2017.
Gentilioni nuk dha shumë detaje mbi masat që do të merren, por bëri të ditur se një pjesë e parasë do të vijë prej veprimeve për të frenuar evazionin fiskal. Projeksionet e reja tregojnë për një stabilizim të borxhit publik në 132.5% në raport me PBB këtë vit dhe në 131% në 2018-ën.
Qeveria deklaroi se do të përpiqet të shesë asete shtetërore me një vlerë prej 0.3% në raport me PBB, nga 0.5% që është premtuar më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.