Italia, në prag të gjendjes së jashtzakonshme – Thatësira, ekspertët e cilësojnë si situatën më kritike të 70 viteve të fundit

Aktualisht kjo konsiderohet si situata më e rëndë e 70 viteve të fundit për sa i përket thatësirës në Itali. Ndërkohë që dhe lumenjtë në të gjithë vendin po thahen. Sipas të dhënave zyrtare nga muaji janar e deri në maj të këtij viti, në Itali ka rënë një sasi rreshjesh sa gjysma e mesatares në 30 vitet e fundit. Ndërsa në rajonet në veri të vendit reshjet kanë qenë 60% më pak.
Por reshjet e pakta nuk janë i vetmi shkak i një skenari gjithnjë e më shqetësues. Ekspertët shprehen se 70% borë më pak gjatë dimrit, katër muaj pa reshje dhe temperaturat prej 3 deri në 4 gradë më shumë se mesatarja, kanë kontribuar në krijimin e kësaj situate. Ata theksojnë se aktualisht situata duket si ajo e fundit të korrikut.
Në situatë kritike dhe lumi PO, tashmë vetëm në 20% të kapacitetit të zakonshëm. Edhe degët janë shumë nën nivelet e zakonshme dhe sektori i bujqësisë po jep alarmin për të mbjellat në rrezik. Sipas fermerëve kjo është një situatë dramatike që nuk shihej prej vitesh dhe nëse gjendja do të vijojë të jetë e tillë do të jetë e vështirë të garantohen produktet.
Ndërkohë Lombardia e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme duke thënë se një krizë e kësaj natyre nuk ishte regjistruar asnjëherë në historinë e rajonit.
Shumë shpejt kjo normë mund të përhapet pasi pritet që gjendja e jashtëzakonshme të shpallet në nivel kombëtar dhe pse java e fundit e qershorit duhet të shoqërohet me reshje shiu.
Sipas autoriteteve italiane nuk mund të përjashtohet racionimi ditor i ujit, por po mendohet dhe të ndalohet larja e automjeteve apo ujitja e kopshteve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.