Italia ngushton suficitin – Eksportet rriten më pak se importet, “Made in Italy” shkëlqen
Eksportet italiane regjistrohen në rritje për të katërtin muaj me radhë. Të dhënat e fundit të institutit të statistikave në vend tregojnë se, gjatë muajit Shkurt, eksportet u rritën me 2.3%. Pavarësisht rritjes, të dhënat tregojnë se, ka një ngadalësim të hapit të rritjes në krahasim me muajt paraardhës.
Italia ka ngushtuar ndjeshëm suficitin tregtar gjatë Shkurtit, në 1.8 miliardë euro, nga 3.8 miliardë që regjistronte gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë. Me vendet e Bashkimit Europian, Italia regjistron një suficit tregtar në 168 milionë euro.
Edhe kjo vlerë është tkurrur ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur fiksohej në 1.25 miliardë euro. Ndërkohë që eksportet u rritën me 2.3% në terma vjetorë gjatë Shkurtit, importet u rritën me plot 9.1%, çka ka gjeneruar edhe tkurrjen e suficitit tregtar të vendit.
Sa i përket vendeve jashtë unionit, eksportet kanë rritur ndjeshëm më Rusinë dhe Kinën, me plot 25.4% dhe 31.5% respektivisht. Sa i përket sektorëve, ai i automjeteve jep kontributin më të madh, në rritje me 12.7%. Gjatë dy-mujorit janar-shkurt, “Made in Italy” regjistron kështu një rritje me plot 7.2%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.