Italia partner strategjik, 3 mijë kompani – Dyfishoi investimet, përgjegjëse për 50,9% të punësimit dhe 25,3% të shitjeve të ndërmarrjeve të huaja
Italia vijon të mbetet një prej partnerëve kryesore të vendit tonë si për sa i përket pranisë së bizneseve të saj, por edhe volumit të invetsimeve që ata sjellin me vete. Raporti me i fundit i Institutit të Statistikave mbi Ndërmarrjet e Huaja në Shqipëri konkludon se gjatë vitit 2019 investimet italiane në Shqipëri janë dyfishuar, ndërkohë që ajo renditet e dyta pas Holandës për sa I përket stokut total.
Nga të dhënat e raportit rezulton se Fluksi i Investimeve të Huaja Direkte është rritur me 5,2% në 2019 krahasuar me 2018. Për 2019, Italia ka patur rritjen më të madhe me gati 2 herë ndërsa Zvicra rënien më të madhe me 44,6%, krahasuar me 2018. Ndërkohë që rënie të flukseve të investimeve kanë shënuar dy partnerë të tjerë të rëndësishëm si Gjermania e Greqia. Në fund të vitit 2019, vendet e BE-së përbëjnë pjesën më të madhe të Stokut (55,3 %), të dominuara nga Hollanda dhe Italia respektivisht me 15,3 % dhe 9,4 %.
Ndërmarrjet me pronësi nga vendet e BE-së investuan 43,4 % të investimeve gjithsej të kryera nga ndërmarrjet e huaja në periudhën kohore 2017-2019. Pjesa më e madhe është investuar nga Italia (13,0 %), ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor kanë realizuar 3,1 % të investimeve të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta.
Në vitin 2019 ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë janë 6.443, ndërkohë 3.011, rreth gjysma e tyre janë italiane. Prani që dominon edhe treguesit e numrit të të punësuarave në ndërmarrjet e huaja në Shqipëri. Gjatë periudhës kohore 2017-2019, nga vendet e Bashkimit Evropian, Italia zë 50,9 % të punësimit dhe 25,3 % të shitjeve neto.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.