Italia rekomandon përzierjen e dozave – Pfizer apo Moderna për ata që janë vaksinuar fillimisht me J&J
Agjencia e barnave në Itali rekomandoi një dozë nxitëse të vaksinës së Pfizer/BioNtech apo Moderna, ndaj atyre të vaksinuar fillimisht me Johnson & Johnosn. Të gjithë ata që kanë marrë regjimin me një dozë të J&J pavarësisht moshës, që janë rreth 1.6 milionë banorë në Itali, do të jenë të përshtatshëm të marrin një dozë të tretë nxitëse 6 muaj pas injeksionit. Agjencia theksoi se e konsideron dozën nxitëse të nevojshjem, pasi vaksina e J&J ka treguar një rënie të ngadaltë të efektshmërisë kundër sëmundjes së lehtë dhe të moderuar, me kalimin e muajve.
Italia nisi të vaksinojë grupet e cënuara dhe ata mbi 60-vjeç me një dozë të tretë të vaksinës në Shtator. Mbi 44.8 milionë italianë, apo 83% e popullsisë mbi 12-vjeç, janë vaksinuar plotësisht. Italia ka regjistruar 132,161 vdekje të lidhura me Covid-19 që kur u shfaq virusi për herë të parë në Shkurt të vitit të kaluar, ç’ka përbën normën e dytë më të lartë në Europë pas Britanisë dhe të 9-n më të madhe në botë. Deri më tani, italia ka raportuar një total të rasteve prej 4.78 milionë.
Norma javore e incidencës së rasteve, pas muajve të rënies, ka nisur të rritet shpejtë që prej javës së kaluar, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Në Europë, Spanja dhe Gjermania kanë autorizuar dozat nxitëse për ata që kanë marrë vaksinën e J&J. Administrata e Barnave dhe Ushqimeve në Shtetet e Bashkuara më 20 Tetor, autorizoi dozat nxtëse të vaksinës së Moderna dhe Johnson & Johnson ndaj Covid-19 dhe theksoi se amerikanët mund të marrin një dozë nxitëse ndryshe nga origjinalja.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.