Italia rrit pretendimet, Gentiloni: Rritja ekonomike do të jetë dyfish më e lartë se projeksionet
Kryeministri italian, Paolo Gentiloni ka rritur ndjeshëm pritshmëritë për ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës.
“Italia është rikthyer që të rritet, me një rritje që nuk e dimë ku do të ndalet, por që do të jetë shumë mbi nivelin e 0.8% dhe 0.9% që parashikonin të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendase vetëm një vit më parë, dhe bindshëm mbi projeksionet e qeverisë që flisnin për një normë rritje në 1.5%. Rritja ekonomike do të jetë më afër 2% sesa 1.5%”, nënvizoi kështu numri një i ekzekutivit italian.
Vazhdimisht gjatë këtij viti, projeksionet për ecurinë e ekonomisë italiane janë rishikuar në territor pozitiv, dhe kjo duket se ka bërë që kryeministri italian të dalë hapur duke pretenduar një rritje ekonomike mbi dy herë më të lartë sesa projeksionet fillestare.
Ndër të tjera, kryeministri italian komentoi me tone pozitive edhe marrëveshjen mes Brukselit dhe Londrës për Brexit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.