Italia rrit taksat – 3.4 mld euro shtesë nga cigaret dhe bixhozi
Qeveria italiane deklaroi se do të rrisë taksat mbi cigaret dhe lojërat e fatit në mënyrë që të zbusë sadopak deficitin buxhetor të këtij viti, një kërkesë kjo e vazhdueshme e Bashkimit Europian.
Shkurtimet emergjente të deficitit vlejnë plot 3.4 miliardë euro, ose 0.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe u aprovuan nga qeveria rreth 2 javë më parë. Por nga ana tjetër, masat e ndërmarra nuk diheshin deri sot.
Shtyrja vjen si pasojë e mosmarrëveshjeve sa i përket mënyrës dhe vendit ku do të gjendeshin këto para.
Masat e reja pritet të miratohen nga parlamenti brenda 60 ditëve. Italia ka normën më të lartë të borxhit publik në Eurozonë, pas Greqisë dhe ka qenë vazhdimisht në përplasje me Komisionin Europian sa i përket mungesës së vullnetit dhe masave konkrete për të nxitur uljen e borxhit.
Pak kohë më parë, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian i bëri apel Romës zyrtare që të nxitohet dhe të paraqesë masa konkrete, pasi në të kundërt mund të përballet me gjoba të majme.
Masat e reja shtrënguese pritet të nxisin një ulje të deficitit në 2.1%, nga 2.3% që projektohet më parë. Për vitin e ardhshëm, objektivi mbetet i pandryshuar, në 1.2%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.