Italia shkon në votime me 20 gusht – Refuzohen nga Senati mocionet e Ligës dhe Forza Italia
Senati i Italisë vendosi datën, për të votuar për mocionin e mosbesimit në qeverinë e Giuseppe Conte, ditën e martë 20 gusht, pasi senatorët u kthyen nga pushimet e tyre verore më herët për të marrë pjesë në një seancë të jashtëzakonshme në Dhomën e Lartë të vendit. Fronti i qendrës së djathtë me në krye Salvinin (Lega, Fratelli d’Italia dhe Forza Italia) dështuan me propozimin e tyre për të afruar datën e mocionit të mosbesimi ndaj Presidentit të Këshillit Conte.
Ndërsa iu drejtua Senatit gjatë seancës speciale, zv.kryeministri i Italisë Matteo Salvini tha se do të pranonte një propozim të Luigi di Maio të Lëvizjes 5Yje për të ulur numrin e anëtarëve të parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Por si kundërpërgjigje Di Maio tha se ata nuk e pranojnë “kompromisin” e propozuar. Qeveria e koalicionit italian ka javë të tëra që ndodhet në prag të kolapsit.
Salvini tha javën e kaluar se partia e tij e djathtë e Ligës nuk do të mbështesë më aleancën aktuale me Lëvizjen 5Yje. Ai shpreson se do të ketë një zgjedhje të re që në vjeshtë të këtij viti, në kuadër të përpjekjeve të tija për kapitalizuar rritjen e popullaritetit të partisë së tij.
Koalicioni, i cili në fillim ishte i pamundur, qëndroi për rreth 14 muaj, por mosmarrëveshjet erdhën në pikën e tyre maksimale javën e kaluar kur Lëvizja u përpoq të bllokojë planet për një lidhje hekurudhore alpine me shpejtësi të lartë midis Torinos dhe Lyon (TAV ). Liga paraqiti të premten një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Giuseppe Conte.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.