Italia shton optimizmin – Rishikon projeksionet e rritjes ekonomike për 2017
Zyra e statistikave në Itali ka rishikuar në territor pozitiv, me 0.1 pikë përqindje rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit aktual.
Projeksionet më të fundit të ISTAT flasin për një normë rritje në 1% të ekonomisë italiane përgjatë 2017-ës, nga 0.9% që ishin projeksionet e mëparshme.
“Rritja merr shtysë nga kërkesa e brendshme, me një kontribut prej 1.1%”, thotë ISTAT në raportin më të fundit.
Pavarësisht rishikimit në territor pozitiv, ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës projektohet të rritet me një hap ndjeshëm më të ngadaltë se mesatarja e Eurozonës, që fiksohet në 1.7% përgjatë këtij viti.
Rreziqet kryesore për ekonominë italiane, thuhet në këtë raport, i referohen tregtisë globale, por edhe tensioneve në tregjet financiare.
Raporti flet për një rritje të ekonomisë globale me një normë prej 3.4% gjatë këtij, viti, ku tregjet në zhvillim rriten me 4.3% dhe ato të zhvilluara me vetëm 1.9%.
Konsumi privat, sipas ISTAT do të vijojë të ketë një kontribut thelbësor në rritjen ekonomike të vendit, pavarësisht se me një intensitet më të vogël se dy vjeçari i kaluar. Investimet ndërkohë vlerësohen si një shtysë tjetër mjaft thelbësore e ekonomisë italiane.
Raporti flet edhe për një përmirësim të tregut të punës. Do të ketë rënie të papunësisë, por me një hap më të ngadaltë se vitet e kaluara, thotë ISTAT.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.