Italia takson pronarët e shtëpive në Airbnb dhe Booking – Më 17 Korrik bëhet pagesa e parë

Më datë 17 Korrik do të nisë takimi i parë mes autoriteteve fiskale dhe Airbnb, Booking e çdo portali tjetër që merret me dhënie me qira për kohë të shkurtra.
Manovra korrigjuese e shtetit italian ka shtuar detyrimin që këto subjekte që ofrojnë ndërmjetësim në sektorin e akomodimit, t’i komunikojnë autoriteteve fiskale të dhënat e tyre mbi kontratat.
Shteti italian gjithashtu i kërkon këtyre portaleve të mbajnë një shumë prej 21% të fitimit, në rast se këto pronarët duan të tërheqin paratë. Për këta të fundit do të aplikohet një taksë e sheshtë prej 21%, për të gjitha qiradhëniet nga data 1 Qershor 2017.
Në detyrimet e kompanive si Airbnb do të bëhet e nevojshme edhe komunikimi i të dhënave si emri, mbiemri, kodi fiskal i qiradhënësit, kohëzgjatja e kontratës, adresa e saktë dhe fitimi total bruto.
Airbnb kishte kundërshtuar mënyrën e re të taksimit nga Italia, pasi shprehet se preferon që taksimi të bëhet nga ajo vetë si kompani, dhe jo në dorë të pritësve.
Sipas faqes zyrtare të Airbnb, pagesa e TVSH bëhet automatike në vende si Shqipëria, Islanda, Norvegjia, Rusia, Serbia, si dhe Bashkimin Europian. Më pas këto tarifa mbahen nga fitimi, i cili i paguhet qiradhënësve në fund të muajit.
Për vitin 2016, Airbnb llogarit se ka prodhuar 4,1 miliardë euro në PBB të italisë, të cilët janë shpërndarë në këtë mënyrë:
- 621 milionë euro fitime të pritësve
- 3,5 miliardë euro shpenzime të udhëtarëve në realitetet ekonomike lokale gjatë qëndrimit të tyre
Sipas një raporti ekskluziv të Airbnb për SCAN, në Shqipëri renditen 2138 njësi akomoduese, të cilat janë aktive më së shumti vetëm në sezonin veror.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.