Italia tërheq super të pasurit – Norma fikse tatimore për këtë kategori në 100,000 euro, jep rezultat

Milionerë nga Rusia, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të përfitojnë nga norma e ulët tatimore për super të pasurit në Itali. Në përpjekje për të tërhequr kapitalin, Italia prezantoi një masë vitin e kaluar që lejon individët super të pasur rezidentë në këtë vend, që të paguajnë një normë fikse tatimore prej 100,000 euro në vit, pavarësisht të ardhurave të tyre.
Thuajse 150 persona, përfshirë ato me një pasuri prej sipër 100 milionë dollarë, janë interesuar mbi këtë masë, tha zyrtari i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Fabrizio Pagani.
“Kemi njerëz nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Rusia dhe SHBA, që është diçka e zakonshme. Por ka patur individë edhe nga Norvegjia dhe Holanda që nuk janë kryesisht të punësuar në financë. Po flasim për persona super të pasur”, shtoi ai.
Italia, që është përballur me vështirësi për t’i dhënë përshpejtim rimëkëmbjes ekonomike pas vitesh në recesion, po përpiqet të tërheqë të huajt e pasur. Italia ndodhet në pasiguri politike, ndërkohë që zgjedhjet e datës 4 Mars po afrojnë dhe nuk ka pritshmëri të qarta për fituesin.
Pas masës tatimore, individët pritet të zhvendosen në Itali dhe sipas Pagani, numri pritet të rritet në mënyrë eksponenciale si në rastin e Portugalisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.