Italianët kundër “Pasaportës së Gjelbër” – Kërcënojnë bllokimin e portit të Triestes prej masës që pezullon pagat
Qindra punëtorë kërcënuan të bllokojnë operacionet tek porti gjigant i Triestes në ditën që pasaporta e gjelbër u bë e detyrueshme për të gjithë punëtorët në Itali. Njerëzit protestuan kundër masës, që është një nga procedurat më strikte në botë anti-Covid, që qeveria italiane e miratoi në mes të Shtatorit. Kjo bëri që nga data 15 Tetor, të gjithë punëtorët të tregojnë vërtetim të vaksinimit, një test negativ apo prova të rimëkëmbjes nga infeksioni së fundmi.
“Pasaporta e gjelbër është diçka e keqe, është një formë e ligjshme e diskriminimit, asgjë më shumë”- tha 59 vjeçari Fabio Bocin, një punëtor i vjetër i portit. Sipas tij, kjo nuk është një rregullore e shëndetësisë, por një lëvizje politike për të krijuar ndasi mes njerëzve. Rreth 15% e punonjësve të sektorit privat dhe 8% e atij publik nuk kanë një pasaportë të gjelbër dhe sipas rregullave të reja, efektive deri në fund të vitit, ata do të pezullohen pa marrë pagë dhe do përballen me një gjobë prej rreth 1,500 euro, nëse injorojnë masën dhe vazhdojnë të punojnë.
Megjithatë, protestuesit nuk ishin të gatshëm të pranonin masën. “Qeveria e Dragit po bën gjëra të neveritshme do po i bën me vullnetin e mirë të njerëzve, pasi fatkeqësisht nuk ka shumë si ne që e kundërshtojnë” tha Damiano Gabos, shofer i autobuzëve publik, që nuk mund të punojë pa certifikatë. Politika e pasaportës së vaksinës ka mbështetjen e shumicës së italianëve, sipas sondazheve, por ka shkaktuar gjithashtu protesta, pasi sindikatat thonë se nuk është e mjaftueshme për të ofruar siguri në vend të punës nga Covid dhe kanë kritikuar pezullimin e pagave.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.