Italianët votuan premtimet utopike – Programet e tre poleve, e djathta me 130 mld euro, “5 yjet” me 104 mld

Fushata elektorale që parapriu zgjedhjet parlamentare të kësaj të Diele ka qenë unike në llojin e saj, për shkak se të tre polet kryesore janë përqendruar në premtime deri diku utopike.
Diçka e tillë është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e situatës së rëndë që vijon të kalojë ende sot ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, me borxhin publik të dytin më të lartë në Europë pas Greqisë, në papunësinë në rekord, dhe me një rritje ekonomike anemike.
Partia më dorështrënguar në premtime, por edhe ajo më realiste duket se ka qenë partia në pushtet, ajo demokratike. Kostot e premtimeve të partisë së Matteo Renzit fiksohen në 38 miliardë euro.
Premtimet përfshijnë një çek mujor për fëmijët, ndërhyrje shtesë për të luftuar varfërinë, uljen e barrës së taksave mbi sipërmarrjen. Një ndër premtimet kyç të së majtës italiane është pikërisht ulja e borxhit publik.
Poli i partive të djathta, ku spikasin partia e Silvio Berlusconit dhe Liga e Veriut e Matteo Salvinit e që rezulton të jetë koalicioni fitues i zgjedhjeve, kanë bërë premtime në vlerën e çmendur të 136 miliardë eurove.
Ndër premtimet kryesore të të djathtëve është taksa e sheshtë, ligji i pensioneve, rritje e pensioneve minimale, futja e asaj që njihet si të ardhurat e dinjitetit, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë si dhe eliminimi i një sërë taksash të tjera.
Pavarësisht shpenzimeve të çmendura edhe ky koalicion ka premtuar ulje të ndjeshme të borxhit publik. Partia që ka dalë e para në rang vendi pas të Dielës, “Lëvizja 5 Yjet” ka bërë premtime për një vlerë prej 104 miliardë eurosh.
Partia e Luigi di Maios është më optimistja në drejtim të llogarive publike duke premtuar një ulje të borxhit publik me 40% gjatë dhjetë viteve të ardhshme, pa detajuar se si.
“5 Yjet” ka premtuar pensionin minimal në 780 euro, rritjen e nivelit të përjashtimit nga taksat, nga 8100 euro në 10 000 euro, ulje të TVSH për produktet e të porsalindurve, eliminimin e equitalias, etj. Pra, frika përpara së Dielës duket se ka qenë legjitime.
Italianët kanë votuar populistët, ose më saktë ata që kanë bërë premtime në kufijtë e të pamundurës, ulje të ndjeshme taksash dhe përmirësim të financave publike njëkohësisht.
E majta në pushtet, sëbashku me partinë të “lirë e të barabartë”, që pak kohë më parë u shkëput nga “Partia Demokratike”, duket se kanë marrë kostot elektorale jo vetëm të qeverisjes së tashme, por edhe të premtimeve jo të fryra.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.