Ja arsyet pse duhet të konsumoni më shumë fiq

Fiqtë e kanë prejardhjen e lashtë nga Lindja e Mesme, por shtëpia e tyre natyrale gjendet në vendet e Detit Mesdhe dhe me krenari edhe në Shqipëri.
Që nga lashtësia, koncepti i qytetërimeve për këtë frut dhe për pemën e tij, ka qenë ai i pemës së kënaqësisë, kjo prej ëmbëlsisë dhe mirësive të fiqve.
Fiku, është një nga frutat më domethënës në historinë e njerëzimit, përmendet si fruti më i dashur i Kleopatrës së Egjiptit, madje disa studiues besojnë se “fruti i ndaluar” në Kopshtin e Edenit, nuk ishte Molla, por ka qene një pemë Fiku.
Ekzistojnë rreth 150 lloje fiqsh, me ngjyra të ndryshme si të zinj, kafe, vjollcë, deri në disa variacione të fiqve të bardhë. Në Shqipëri rriten disa lloje fiqsh, disa më të hershëm në prodhim e disa të tjerë më të vonshëm, kryesisht të bardhë dhe të zinj, si edhe varietete të fiqve më të vegjël, të quajtur rreka të cilët dalin në treg në fund të verës.
Sipas Agroweb, Turqia zë vendin e pare në botë për prodhimin e fiqve, ndërsa Shqipëria raportohet të renditet si vendi i tetë në botë për prodhimin e këtij fruti. Përmeti, Berati, Elbasani, por edhe Tirana dhe mjaft zona të tjera të Shqipërisë, sidomos asaj jugore, janë prodhuesit dhe kultivuesit kryesorë të fiqve shqiptarë, ndërkohë që një pjesë e mirë e fiqve vendas përpunohet për reçel, marmelatë, apo thahet për t’u përdorur gjatë muajve të tjerë të vitit.
Fiqtë konsiderohen si një ndër frutat që kanë ndikim pozitiv në shëndetin e njeriut. Të shijshëm dhe të ushqyeshëm, fiqtë janë një zgjidhje e mrekullueshme për shkak të vetive të tyre, të cilat Agroweb po i liston në vijim.
Fiqtë kanë veti tretëse të shkëlqyera, për shkak të enzimave të cilat bëjnë të mundur asimilimin e ushqimeve dhe substancave si kalciumi, hekuri, potasi, magnezi dhe vitaminat A, B1, B2, B6, PP dhe C. Ata konsiderohen një aleat i mirë i aparatit tretës.
Janë anti inflamatorë. Ndihmojnë në rastet e ënjtjeve dhe infeksioneve. Fiqtë luftojnë inflamacionet e mushkërive dhe ato të rrugëve urinare, por edhe kolitin e gastritin.
Ruajnë shëndetin e syve, lëkurës, kockave dhe dhëmbëve, kjo falë substancave ushqyese që kanë në përbërjen e tyre.
Fiqtë lejla janë më të përhapurit dhe më të ëmblit nga të gjitha llojet. Fiqtë jeshilë janë më të lëngshëm dhe kanë një lëkurë më të hollë.
Fiqtë e zinj janë më të thatë dhe qëndrojnë më gjatë në pemë në krahasim me të tjerët. Fiqtë e vegjël rreka janë paksa të rrudhosur dhe me një shije mes fiqve të thatë dhe atyre të njomë.
Por vlerat dhe vetitë speciale të fiqve këto ditë të para të Qershorit 2017 vijnë me një çmim krejt të kripur. Nëse doni t’i provoni që tani, një kilogram me fiq të freskët do t’ju detyrojnë të nxirrni nga portofoli jo më pak se 800 lekë të reja.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.