Ja cila është kompania që mund t’iu punësojë pa nevojën e një CV-je apo letre prezantimi

Në vend që të paraqisni një letër prezantimi apo CV për të filluar punë tek MamaLoes, një kompani holandeze shitjesh online e specializuar në artikuj për fëmijë, gjithçka që duhet të bëni është të shtoni emrin tuaj në një listë dhe të prisni një telefonatë. Kjo është kompania e parë në Holandë që përpiqet të realizojë “punësimin e hapur” (open hiring), ku njerëzit që duan të punojnë thjesht fillojnë të punojnë pa nevojën e një interviste apo pyetësori.
Koncepti erdhi nga Greyston Bakery, një dyqan ëmbëlsirash në Yonkers, New York i themeluar nga një mjeshtër ‘Zen’ i cili ishte frymëzuar nga një parim budist i mos gjykimit.
Furra siguron brownie (lloj keku) për akulloret e Ben & Jerry në web-faqen e së cilës shkruhet: “Ne nuk punësojmë njerëz për të pjekur brownie, ne pjekim Brownie për të punësuar njerëz.” Furra e bukës krijoi partneritet me Fondacionin Start, një fond i filantropisë holandeze të ndërmarrjeve, për të filluar programe të ‘punësimit të hapur’ në të gjithë Atlantikun.
“Ne filluam të punësojmë njerëz pa bërë pyetje, kështu që quhet punësim i hapur, ne kemi disa vjet tashmë që e bëjmë këtë,” tha drejtori MamaLoes Loes de Volder. “Ata nuk gjykojnë “mbi emrat ose përvojën, vetëm kur thonë se mund ta bëj punën. Ne i lejojmë ata të bëjnë punën dhe të dëshmojnë veten e tyre”, tha de Volder për Euronews.
Nga afro 130 punonjës të MamaLoes, rreth tetë vetë u punësuan përmes “punësimit të hapur”, thotë de Volder. Ata që janë punësuar së fundmi fillojnë me pagën minimale, por mund të rriten brenda kompanisë. “Kur u jepni njerëzve shanse, ata do të bëjnë çmos për ju dhe ata janë besnikë, të besueshëm, kjo është një gjë e mirë. Ne kemi shumë njerëz që tani punojnë në MamaLoes për një kohë të gjatë sepse ata janë të përkushtuar ndaj nesh, ne jemi një familje e madhe,” shtoi de Volder.
Në Holandë, punësimi i hapur është ende në fazat e pilotimit pjesërisht nën drejtimin e Universitetit të Hapur në Amsterdam. Në MamaLoes, ata kanë një sistem mbështetës për punonjësit dhe kanë biseda ballë për ballë çdo javë, për të ballafaquar problematikat e ndryshme që mund të hasen gjatë punës. (Euronews)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.