Ja investimet më fitimprurëse-Kthimet më të larta në tregun financiar te “Credins Premium”
Megjithëse cikli i ekonomisë ka bërë që normat e interesit të ulen në nivelet më të ulëta historike, sërish tregu financiar ofron kthime interesante nga investimi. Bëhet fjalë sidomos për fondet e investimit dhe pensionit, ku kursimet në monedhën vendase mund t’iu sigurojnë fitime të kënaqshme për kohën.
TV SCAN ka bërë një krahasim të kthimeve zyrtare të deklaruara nga këto fonde për 12 muajt e fundit.
Të dhënat më të fundit të disponueshme i takojnë muajit mars 2019 dhe janë të llogaritura mbi bazë neto, duke zbritur tarifën e administrimit që mbahet nga fondi. Fondi me kthimin më të lartë për 12 muajt e fundit është ‘Credins Premium’.
Sipas të dhënave që raporton shoqëria administruese, ‘Credins Invest’, kthimi neto nga investimi për 12 muajt e fundit është 10.69%, ndjeshëm më i larti në tregun financiar vendas.
I dyti, me një kthim disa pikë më të ulët, është fondi ‘Prestigj i Raiffeisen Invest’. Ky fond ofron një kthim nga investimi në nivelin 5.7%. renditja vijon me dy fondet e pensioneve: ‘Raiffeisen Pension’ ka një normë kthimi 5.65%, ndërsa ‘Credins Pension’ 4.82%. ‘Vizion’, fondi më i ri i ‘Raiffeisen Invest’, mbyll renditjen e kthimit për fondet e investimit në lekë, me 4.44% që nga krijimi (7.87% me bazë vjetore). Jashtë fondeve të investimit, i vetmi instrument që ofron kthime të krahasueshme është i obligacioneve qeveritare 10 vjeçare. Në ankandin e fundit, kuponi i këtyre obligacioneve ishte 5.85%.
Ndërkohë, fondi i investimeve ‘Raiffeisen Invest Euro’ ka një kthim modest, me 0.77%, çka reflekton normat shumë të ulëta të interesit për instrumentet e investimit në monedhën europiane.
Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se kthimet në fondet e investimit janë të ndryshueshme në kohë.
Në raportet e tyre, të gjitha fondet kujtojnë se performanca e kaluar nuk është një premtim apo garanci për performancën e ardhshme dhe nuk duhet të jetë faktori i vetëm i shqyrtimit gjatë zgjedhjes së një produkti.
Si të gjitha produktet financiare, fondet e investimit kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Avantazhet kryesore sot janë se ato ofrojnë kthime më të larta nga investimi dhe janë instrumente likuide. Mbajtësi i kuotave në një fond investimi mund t’i shesë në çdo kohë dhe shoqëria administruese i kthen paratë, përfshi fitimin e akumuluar, brenda 7 ditësh.
Ndërkohë, fondet e pensionit kanë penalitete për tërheqje të hershme, por në kompensim ato mundësojnë incentiva fiskale. Paratë që investohen në pension privat përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat, për një kufi deri në 200 mijë lekë në vit.
Por, nga ana tjetër, kuotat në fondet e investimit dhe pensioneve nuk janë subjekt i sigurimit ligjor, siç ndodh me depozitat, që sigurohen 100% deri në vlerën e 2.5 milionë lekëve.
Megjithëse këto fonde në Shqipëri veprojnë me profil rreziku të ulët dhe paratë investohen kryesisht në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare, në teori, investitori mund të jetë i ekspozuar edhe ndaj humbjeve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.