Ja masat për uljen e euroizimit! Flet për “SCAN Magazine” Klodion Shehu, drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë ka shpallur publikisht qëllimin për të hartuar një plan masash për uljen e përdorimit të euros në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare. Në një intervistë për “Scan Magazine” Klodion Shehu, drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, shpjegon arsyet pse Banka e Shqipërisë e konsideron problematik nivelin e lartë të euroizimit të ekonomisë sonë. Përdorimi i gjerë i euros dëmton efikasitetin e politikës së Autoritetit Monetar Kombëtar dhe rrit rreziqet e lidhura me ekspozimin ndaj kursit të këmbimit, për të gjithë ekonominë dhe më specifikisht për sistemin financiar.
Z.Shehu thotë se masat që pritet të miratojë Banka e Shqipërisë do të synojnë uljen e peshës së euros në bilancet e bankave, si në krahun e aktiveve, ashtu edhe në atë të pasiveve. Por, nga ana tjetër, ai shprehet se deeuroizimi nuk mund të jetë vetëm një objektiv për sistemin financiar, për sa kohë që përdorimi i monedhës evropiane nga publiku mbetet i gjerë. Sipas tij, edhe autoritetet e tjera të vendit mund të identifikojnë dhe të ndërmarrin masa që nxisin agjentët ekonomikë të rrisin shkallën e përdorimit të monedhës vendase në transaksionet e tyre.
Pse Banka e Shqipërisë ka marrë iniciativën për një plan masash për uljen e përdorimit të euros në ekonominë shqiptare? Cilat janë rreziqet e një shkalle shumë të lartë euroizimi për ekonominë dhe sistemin financiar?
Kur flasim për fenomenin e euroizimit/dollarizimit, i referohemi gjithmonë vendeve që kanë një monedhë të vetën, e cila lejohet të tregtohet lirisht në treg, por që kanë paralelisht një përdorim të gjerë të monedhës së huaj në ekonomi dhe në sistemin financiar. Në këtë rast, nuk i referohemi vendeve që kanë zgjedhur të adoptojnë (si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare apo në mënyrë të njëanshme) monedhën e një vendi tjetër (zakonisht dollari amerikan dhe së fundi euro) si monedhë lokale apo që kanë adoptuar një regjim fiks të kursit të këmbimit të monedhës së vendit ndaj monedhës së huaj. Këto të fundit, me zgjedhjen që kanë bërë, kanë hequr dorë nga një politikë monetare aktive kombëtare.
Ka disa studime nga autorë vendas dhe të huaj, te cilët konfirmojnë se në Shqipëri ekziston një nivel i lartë i euroizimit financiar, pra i preferencës së publikut për të mbajtur në monedhë të huaj një pjesë të konsiderueshme të aktiveve dhe të detyrimeve të tij. Kjo pasqyrohet drejtpërdrejt në aktivet dhe detyrimet e sektorit bankar, ku përkatësisht kredia në valutë (detyrimet e publikut) dhe depozitat në valutë (aktivet e publikut) janë në vlera relativisht të larta. Vetë bankat e lehtësojnë këtë proces përmes përmbushjes së detyrimit mbikëqyrës për të pasur një pozicion valutor sa më të balancuar. Këto studime gjithashtu sugjerojnë që në Shqipëri është i pranishëm edhe euroizimi monetar dhe ai real, pra kur përkatësisht, monedha e huaj shërben si mjet pagese në transaksionet financiare ose kur çmimet për disa produkte/mallra (kryesisht ato të qëndrueshme dhe me vlera të mëdha) dhe pagat në sektorë apo shtresa të caktuara, paguhen në monedhë të huaj (euro) ose indeksohen me kursin e këmbimit të saj.
Përvoja e vendeve të ndryshme, ka treguar që nivelet e larta të dollarizimit/euroizimit, janë pasoja të kombinimit të disa faktorëve, ku përfshihen krizat ekonomike dhe financiare, miksimi i gabuar i politikave makroekonomike lokale dhe përjetimi i periudhave me inflacion të lartë, lidhjet e ngushta ekonomike/financiare me pole të rëndësishme ekonomike të monedhës së huaj. Me ndonjë përjashtim, tek këta faktorë duhen kërkuar edhe shkaqet e euroizimit të lartë në vendin tonë.
Prania e euroizimit në ekonomi ka ndikime të rëndësishme për efektivitetin e politikave ekonomike.
Në drejtim të politikave makroekonomike, niveli i lartë i euroizimit ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare; kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit, si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë më të lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit; dhe cenon efektivitetin e politikës fiskale përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të strukturës së tij.
Gjithashtu, niveli i lartë i euroizimit shoqërohet zakonisht me kosto për bankën qendrore në formën e kostos oportune për mbajtjen e një niveli relativisht më të lartë të rezervave valutore, si edhe për humbjen e të ardhurave (senjorazh) që shoqërojnë zëvendësimin e monedhës vendase nga ajo e huaj. Në drejtim të stabilitetit financiar, euroizimi rrit ekspozimin e sistemit financiar dhe të agjentëve të ekonomisë ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit dhe situatave të stresit të likuiditetit në valutë. Kur vijon për një kohë të gjatë euroizimi/dollarizimi, vështirësitë në trajtimin e tij bëhen më të mëdha, pasi struktura e ekonomisë, marrëdhëniet ekonomike dhe financiare mes subjekteve, konceptimi për mënyrën e qëndrimit ndaj këtij fenomeni kanë gjetur një lloj ekuilibri, zhvendosja e të cilit do të ishte shumë e vështirë dhe mund të shoqërohej me kosto të ndjeshme.
Nga ana tjetër, masat për deeuroizim ka të ngjarë të jenë më të suksesshme, nëse ato ndërmerren në periudha të stabilitetit ekonomik dhe financiar, kur qëndrueshmëria e kursit të këmbimit të monedhës mund të interpretohet si tregues i besimit tek ajo i subjekteve ekonomike dhe publikut në përgjithësi. Për këto arsye, është e nevojshme dhe aktualisht e përshtatshme të ndërmerren veprimet për kontrollin dhe uljen e euroizimit në ekonominë dhe sistemin financiar në vend.
Cilat janë përvojat e vendeve të tjera në drejtim të uljes apo shmangies së një niveli të lartë euroizimi të ekonomisë?
Ekziston një literaturë e gjerë për këtë fenomen, ku spikasin përvojat e vendeve të Amerikës Latine dhe të atyre të Azisë së Vogël, kryesisht për nivelet e larta të dollarizimit në vitet ‘80-‘90. Këtu mund të veçojmë rastin e Perusë. Në vitet ‘90, pas ndryshimeve politike dhe liberalizimit ekonomik e financiar, fenomeni u përhap edhe në vendet e Evropës Qendrore e Juglindore, fillimisht me përdorimin e gjerë të markës gjermane dhe në vijim të euros. Raste të tilla ishin Polonia apo më vonë edhe Kroacia e Serbia.
Të gjitha këto vende, që siç përmenda më lart, hyjnë në grupin e vendeve që kanë monedhat e tyre kombëtare dhe që mund të ushtrojnë një politikë monetare aktive, kanë ndërmarrë masa të ndryshme për të ulur nivelet e dollarizimit dhe të euroizimit. Zbatimi i këtyre masave kërkon si parakusht stabilitetin makroekonomik dhe financiar, dhe përgjithësisht ato shtrihen në sistemin financiar dhe në segmente të tjera të ekonomisë së vendit. Qëllimi është që përmes këtyre masave, të favorizohet përdorimi më i gjerë i monedhës lokale në transaksionet ekonomike, dhe në afat më të gjatë kjo të sjellë një ndryshim pozitiv strukturor në përdorimin e monedhës së vendit (dhe uljen e nivelit të dollarizimit/euroizimit) në ekonomi.
Përsa i takon suksesit të këtyre masave në vende të ndryshme, panorama është e larmishme. Praktikat më të suksesshme zakonisht janë ndikuar nga kuptimi i mirë i faktorëve përcaktues të fenomenit, qasja në mënyrë të qëndrueshme në masat që merren, si edhe vendosja e një objektivi realist dhe afatgjatë për rezultatet që pret.
Ku do të synojnë masat për uljen e përdorimit të euros në sistemin financiar? Cilat janë ndërhyrjet kryesore që po merrni në konsideratë?
Duke iu referuar sektorit bankar, që mbizotëron në sistemin financiar në vend, niveli i lartë i euroizimit vërehet në të dy krahët e bilancit të sektorit. Ngushtimi i diferencës pozitive mes normës mesatare të interesit për kredinë në lekë dhe për atë në valutë, në vijim të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, si dhe një qëndrim më pasiv i grupeve bankare të huaja për kreditimin në valutë, kanë ndikuar në uljen e peshës së kredisë në valutë në rreth 60% të totalit të kredisë (nga rreth 72% në vitin 2008), ndonëse kjo peshë vijon të konsiderohet e lartë. Si pjesë e kësaj kategorie të kredisë, kredia në valutë e pambrojtur nga lëvizjet e pafavorshme të kursit të këmbimit (aty ku kredimarrësi i ka të ardhurat kryesisht në lekë), me gjithë rënien në vitet e fundit, gjithashtu mbetet në nivele të larta.
Nga ana tjetër, ngushtimi i diferencës në normat e interesit ka mbështetur disi rritjen e depozitave në valutë në krahun e pasivit, që përbëjnë 53% të totalit (kundrejt rreth 43% të tyre në fund të vitit 2008). Euroizimi i aktiveve dhe pasive të sektorit bankar janë të ndërlidhur ngushtë së bashku. Në përputhje me parimet dhe kërkesat për zbutjen e rrezikut të kursit të këmbimit, sektori bankar synon të ruajë një pozicion sa më të balancuar në përbërjen e zërave të bilancit sipas monedhave. Rrjedhimisht, rritja e burimeve të financimit në valutë, mund të reflektohet përgjatë kohës në krahun e aktivit, pra depozitat në valutë mund të nxisin përsëri kredidhënien në valutë. Nga ana tjetër, kreditimi në valutë, reflektohet në detyrimet e sektorit bankar në valutë, në kushtet kur përdorimi i kredisë nga huamarrësi për kryerjen e investimeve apo blerjeve të ndryshme nga subjekte të tjera, rrit vlerën e depozitave të këtyre subjekteve në sektorin bankar.
Duke konsideruar këto lidhje, por edhe përvojën ndërkombëtare, në Bankën e Shqipërisë ka nisur procesi i identifikimit dhe vlerësimit të masave që mund të merren fillimisht për të adresuar nivelet e euroizimit në sektorin bankar. Më konkretisht:
Në krahun e aktiveve të sektorit bankar, masat mund të fokusohen në:
- a) rritjen e kërkesave minimale rregullative për aktivet likuide në valutë, në krahasim me ato për aktivet likuide në lekë. Kjo masë duhet të shërbejë për të zvogëluar rrezikun më të lartë të likuiditetit që shoqëron veprimtarinë në valutë në krahasim me atë në lekë, për të njëjtat kushte;
- b) përforcimin e veprimeve të bankave për rritjen e ndërgjegjësimit të huamarrësve në valutë lidhur me rreziqet që e shoqërojnë këtë veprimtari dhe nxitjen e tyre për të ofruar mekanizma që e zbusin këtë rrezik;
Në krahun e detyrimeve të sektorit bankar, masat do të synojnë vendosjen e një niveli më të lartë të normës së rezervës së detyrueshme për depozitat në valutë dhe uljen me, të paktën, të njëjtën masë të normës së rezervës së detyrueshme për depozitat në lekë. Kjo masë, e cila do të jetë pothuaj neutrale nga këndvështrimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, duhet të shërbejë për të rritur diferencën pozitive mes normave të interesit për depozitat në lekë me ato në valutë, dhe në këtë mënyrë do të ndikojë për ruajtjen e preferencës së bankave dhe të publikut për rritjen e depozitave në lekë.
Në zbatimin e masave që do të miratohen nga Banka e Shqipërisë, do të bëhet kujdes për të lejuar hapësirën e nevojshme të kohës përpara hyrjes në fuqi të masave, e cila do të konsiderojë jo vetëm nevojën për të vepruar, por edhe realizimin e përgatitjeve të nevojshme nga ana e industrisë bankare. Më tej, do të vijojë monitorimi i rregullt i veprimtarisë në valutë të sektorit bankar, dhe nëse do të vlerësohet e nevojshme mund të ndërmerren edhe masa të tjera për të kontrolluar rreziqet për stabilitetin financiar që burojnë nga euroizimi.
Cilat mund të jenë implikimet në sistemin financiar të masave antieuroizim, po të kemi parasysh që pjesa më e madhe e portofolit të kredisë dhe e depozitave janë në valutë të huaj?
Ne besojmë që masat e mësipërme do t’i tregojnë sektorit bankar, subjekteve ekonomike dhe publikut në përgjithësi, rëndësinë që ka ulja e niveleve të euroizimit për uljen e rrezikut në veprimtarinë e tyre. Krahas kësaj, ne besojmë që për shkak të ndikimit të këtyre masave, bankat, subjektet ekonomike dhe publiku, do ta vlerësojnë si më të kushtueshme financiarisht veprimtarinë në valutë dhe, për rrjedhojë, më të favorshme veprimtarinë në lekë, duke rritur gradualisht rëndësinë e kësaj të fundit. Në tërësi, ne besojmë se si rezultat i këtyre masave, dhe i të tjerave që mund të ndërmerren në rast nevoje, niveli i euroizimit në sektorin bankar do të ulet. Në këtë drejtim, qasja jonë do të jetë realiste. Ne nuk synojmë uljen në zero të niveleve të euroizimit. Për kushtet e Shqipërisë, ky mund të ishte një objektiv utopik, i parealizueshëm dhe madje edhe i pajustifikueshëm ekonomikisht. Nga ana tjetër, ndërmarrja e veprimeve të forta që synojnë një rezultat të shpejtë, mund të shoqërohej me kosto të konsiderueshme për subjektet që i nënshtrohen këtyre masave, dhe mund të shkaktonte efekte të padëshirueshme në tregues të caktuar ekonomike dhe financiare. Ajo që synohet është që nivelet e euroizimit, të ulen drejt atyre që ekzistojnë në vende të tjera me një profil ekonomik të ngjashëm.
Besoni se një plan për uljen e euroizimit duhet të përfshijë edhe masa shtrënguese për sa i takon përdorimit të euros si valutë për kryerjen e pagesave të brendshme në ekonomi?
Qasja realiste ndaj këtij fenomeni, reflekton gjithashtu edhe kompleksitetin e tij. Deeuroizimi nuk mund të jetë vetëm një objektiv për sistemin financiar, për sa kohë që përdorimi i valutës nga publiku në transaksionet e ndryshme, mbetet i gjerë. Për këtë arsye, qasja për deeuroizimin duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ku edhe autoritetet e tjera të vendit mund të identifikojnë dhe të ndërmarrin masa të ndryshme, të cilat nxisin publikun dhe agjentët ekonomikë të rrisin shkallën e përdorimit të monedhës vendase në transaksionet e tyre. Prandaj, Banka e Shqipërisë synon që t’i qaset këtij fenomeni në mënyrë strategjike, duke kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve të tjera në vend.
Për këtë qëllim, është punuar për realizimin e një Memorandumi Bashkëpunimi, i cili do t’i propozohet për miratim Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Memorandumi do të nxisë secilin autoritet, që brenda fushës së tij të kompetencës dhe në mënyrë sa më të koordinuar, të identifikojë veprimet e nevojshme në drejtim të deeuroizimit më të përgjithshëm ekonomik, duke përfshirë edhe komunikimin me publikun. Dokumenti do të përmbajë edhe mekanizma monitorues për të vlerësuar dhe raportuar rregullisht mbi efektin që mund të kenë masat e ndërmarra nga autoritetet në tregues të ndryshëm financiarë dhe ekonomikë.
Në kushtet kur Shqipëria ndodhet në një proces integrimi me Bashkimin Evropian, a mund të jetë lufta ndaj euroizimit një lëvizje e panatyrshme për kursin e ekonomisë shqiptare?
Ndonëse ky perceptim mund të ekzistojë, në fakt nuk është kështu. Mjafton të përmendim faktin që ka vende anëtare të Bashkimit Evropian, por jo të Eurozonës, siç janë psh., Çekia apo Polonia, të integruara shumë më tepër se Shqipëria në marrëdhëniet tregtare me zonën e Euros, të cilat kanë një nivel euroizimi në sektorin bankar dhe në ekonomi, shumë më të ulët se vendi ynë. Nga ana tjetër, duhet përmendur edhe që vetë Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, i mbështesin politikat e deeuroizimit në vendet e rajonit tonë.
Por perceptimi i mësipërm mund të jetë tregues i “natyrshmërisë” që ka gjetur përdorimi i valutës në ekonominë shqiptare, reflekton edhe një herë kompleksitetin e këtij fenomeni, dhe evidenton nevojën që qasja e strategjisë së deeuroizimit të jetë realiste, por njëkohësisht veprimet e autoriteteve shqiptare të jenë sa më të koordinuara dhe konsistente.
Ersuin Shehu/ SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.