Jaka: Presioni nga administrata detyron gjyqtarët të vendosin kundër sipërmarrjes
Presioni i administratës mbi gjyqtarët po detyron këta të fundit të marrin vendime kundër biznesit. Kjo ka qenë deklarata e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, dhënë për emisionin “Argument”. Jaka ka theksuar se sipas informacioneve të tij po merren vendime gjyqësore të padrejta mbi biznesin, për të shpëtuar nga presioni i administratës dhe vetëm 20 për qind prodhohen nga qytetarët.
“80 për qind të proceseve gjyqësore i prodhon Administrata Publike. Të gjitha fenomenet dhe praktikat gjyqësore, 80 për qind prodhohen nga Administrata Publike dhe vetëm 20 për qind prodhohen nga qytetarët.”
Jaka ka paraqitur dhe tablonë e plotë të përplasjeve juridike që shkojnë në gjykatë kur flitet për sipërmarrje private. Sipas tij është shteti që krijon konfliktin dhe më pas po shteti kërkon zgjidhjen në favor të tij.
“Nga informacioni që më vjen, sipërmarrja private po humbet të gjitha gjyqet që ka me shtetin. Shumicën e tyre, padrejtësisht. Pse? Sepse sistemi gjyqësor, pra gjyqtarët, janë në një presion të vazhdueshëm nga qeveria, ‘që ju për çdo çështje merrni lek’, ‘ne jemi shtet dhe s’kemi lek për të dhënë’, kështu që ju i jepni të drejtë sipërmarrjes, sepse aty merrni. Ky është fenomeni më i dëmshëm që i bëhet ekonomisë dhe sistemit, sepse gjyqtari thotë ‘e kam të pamundur se unë kam presion shtetëror – ‘unë e kuptoj që ti ke të drejtë, por s’ta jap dot, sepse kam monitorimin sipër.’ Drejtësi është kjo?”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.