Japonia kthehet në inflacion – Çmimet rriten për të parën herë që prej 2015-ës

Japonia ka publikuar një rritje të nivelit të çmimeve për të parën herë që prej vitit 2015, ndërkohë që çmimet e konsumit duke përjashtuar komponentët e luhatshëm të ushqimit, u rritën me 0.1% në Janar me bazë vjetore.
Kthimi në territor pozitiv të nivelit të çmimeve është nxitur nga energjia dhe ofron pak shpresë për Bankën e Japonisë që të arrijë objektivin e inflacionit në 2%. Inflacioni i ulët në Japoni, një fenomen i parë në dy dekadat e fundit në ekonominë e tretë më të madhe të botës, përbën një nga barrat më të mëdha për të pasur një rimëkëmbje të qëndrueshme ekonomike.
Të dhëna të tjera treguan se shpenzimet e ekonomive familjare ranë me 1.2% në Janar nga viti i kaluar, duke sjellë muajin e 11 radhazi të rënies.
Analistët presin një rimëkëmbje të ekonomisë në tremujorin e parë, kryesisht prej rritjes së eksporteve. Politikëbërësit shpresojnë që perspektiva për një rimëkëmbje të ekonomisë të nxisë kompanitë që të rrisin pagat, çka përbën një pikë të dobët për ekonominë e tretë më të madhe në botë.
Analistët presin që inflacioni bazë të arrijë 1% këtë vit, poshtë nivelit objektiv të Bankës Qendrore.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.