Japonia nën “pushtetin” e ujit : Rrebeshe rekord, vendi në gjendje emergjence!
Një pjesë e madhe e Japonisë është përfshirë nga shira të rrëmbyeshëm, që kanë shkaktuar edhe përmbytje. Autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim emergjence të rrallë, ndërkohë që kanë urdhëruar evakuimin e rreth 850 mijë banorëve. Deri më tani raportohet për 2 viktima, por autoritetet i druhen një numri edhe më të madh. Në disa zona raportohet për 100 mm shi të rënë në më pak se një orë.
Instituti meteorologjik në vend e ka vendosur nivelin e rrezikut në maksimum, në 5. Këto shira të rrëmbyeshëm janë një fenomen i rrallë për Japoninë, dhe ndodhin një herë në disa dekada. Ndërkohë, edhe përmasat e rrebesheve më të fundit nuk janë aspak të zakonta për një vend si Japonia.
“Niveli i rrebeshit të rënë kësaj here është diçka të cilën nuk e kemi përjetuar më parë”-shprehen autoritetet lokale në disa nga rajonet e prekura. Ujrat e rrëmbyeshëm, të bashkuar edhe me lumenjtë e dalë nga shtratet e tyre kanë vërshuar nëpër rrugë, duke marrë përpara çdo gjë.
Roel Korkuti/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.