Japonia nis fushatën e vaksinimit /E nis me vaksinën e Pfizer. Synon të zhvillojë me sukses lojërat Olimpike

Japonia ka nisur programin e vaksinimit kundër Covid-19 ditën e Premte, duke administruar vaksinën e Pfizer me BioNTech tek punëtorët e një spitali në Tokjo, ndërkohë që kryeministri Yoshihide Suga po përpiqet të provojë shansin me lojërat Olimpike këtë Verë.
Punonjësit e shëndetësisë tek Qendra Mjekësore e Tokjos, ishin të parët ndër 40,000 njerëz të shënjestruar për të marrë vaksinën e parë. Ata do të ndiqen nga 3.7 milionë staf mjekësor dhe më pas nga 36 milionë njerëz në moshë 65 vjeç e sipër. “Ky është hapi i parë i madh drejt fundit të pandemisë”- tha zv/ministri i Shëndetësisë, Hiroshi Yamamoto, pasi u administruan vaksinat e para.
Kryeministri Suga ka thënë se shpërndarja e vaksinës do të jetë kritike për të zhvilluar me sukses lojërat Olimpike, që u vonuan nga viti i kaluar për shkak të pandemisë. Qeveria po synon të sigurojë mjaftueshëm vaksina për të gjithë popullsinë prej 126 milionë deri në mes të 2021. Shpërndarja e plotë mund të kërkojë 1 vit, sipas shefit të programit të vaksinave, Taro Kono.
Ka gjithashtu shqetësime se miliona vaksina të Pfizer me BioNTech mund të shkojnë dëm për shkak të mungesës së shiringave që kërkohen për të maksimizuar numrin e dozave për çdo provëz.
Qendra Mjekësore e Tokjos planifikon të injektojë 60 njerëz në ditë duke nisur nga e Enjtja, për të minimizuar sasinë e vaksinës që mund të shkojë dëm dhe monitoruar njerëzit që marrin dozën.
Drejtori i spitalit, Kazuhiro Araki tha se dëshiron të bëhet shembull duke marrë injeksionin e parë. Japonia ka nënshkruar kontrata për të blerë një total prej 314 milionë doza të vaksinave nga Pfizer me BioNTech, AstraZeneca dhe Moderna, mjaftueshëm për të imunizuar 157 milionë njerëz.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.