Japonia “prodhon” paradokse -Ka më shumë punë se të papunë

Japonia tashmë është në punësim të plotë, por diçka e tillë nuk po reflektohet në rritjen e pagave. Norma e papunësisë në vend ka rënë nga 3% që ishte gjatë janarit në 2.8% gjatë muajit shkurt. Ky është niveli më i ulët në 22 vite.
Raporti mes vendeve të lira të punës dhe atyre që kërkojnë një punë është në 1.43, çka do të thotë se për çdo 100 persona që kërkojnë punë, ka plot 143 vende të lira pune. E ndërkohë që çdo vend tjetër i botës do i kishte zili këto shifra, situata nuk është aq e shndritshme sa duket në ishull. Përveç papunësisë, pjesa dërrmuese e indikatorëve të tjerë ekonomik në vend tregojnë një situatë krejt tjetër.
Konsumatorët, pavarësisht tregut të fortë të punës, paradoksalisht hezitojnë të shpenzojnë. Konsumi familjar është në rënie me 3.8% në terma vjetorë, ndërkohë që inflacioni vjen të luhatet pranë zeros. Objektivi i bankës qendrore ndërkohë flet për një normë pranë 2%. Rritja anemike e pagave por edhe probleme të mëdha sociale në vend, si plakja e frikshme e popullsisë, janë ndër problemet kryesore në Japoni për momentin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.