Java më e mirë në 12 muaj – Bursat “shkëlqejnë”, viti projektohet mjaft interesant
Java që sapo u mbyll rezulton të jetë për bursat më e mira në 12 muajt e fundit. Performanca ndërkohë flet edhe për një fillim të mbarë të këtij viti. S&P 500 u ngjit me 2.6% gjatë javës pas një rënie me 0.4% në katër sesionet e fundit të vitit që sapo mbyllëm. Indeksi i S&P 500 u regjistrua në rritje në të katërt sesionet e kësaj jave. Një fillim i tillë i vitit është parë vetëm dy herë që prej vitit 1990.
Në të dyja rastit, indeksi e mbylli vitin me një rritje prej të paktën 12%. Performanca e periudhës së para festave bëri që shumë ekspertë të rrisnin projeksionet për ecurinë e S&P 500 gjatë 2018-ës. Kjo ka gjeneruar edhe rritjen e ndjeshme gjatë javës së parë të vitit. Ekspertët shprehen gjithashtu se, diçka e tillë ashtë e pazakontë.
Indeksi i Dow Jones ndërkohë u rrit me 2.3% gjatë javës. Në nivel global ndërkohë po rritet ndjeshëm oreksi i investitorëve për asete me rrezik të lartë. Në Shtetet e Bashkuara ndërkohë Rezerva Federale ka bërë thirrje për një rritje graduale të normave të interesit. Të gjitha këto sinjalizojnë se, për bursat ky do të jetë një vit më shumë se interesant.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.