Java e Parasë – Shoqata e Bankave, konkurs me studentët
Në kuadrin e javës globale të parasë, Shoqata Shqiptare e Bankave organizoi të martën një konkurs me studentët e universiteteve, me temën “Sikur të ishim bankierë”.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, nënvizoi rëndësinë e edukimit financiar në moshën e re, çka është edhe arsyeja pse java e parasë fokusohet te më të rinjtë.
Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, Dhori Kule, inkurajoi studentët të forcojnë njohuritë e tyre mbi sistemin bankar, sepse, sipas tij, edhe në këtë sektor tregu do të ndjekë një proces vettingu.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Luarasi, Arben Malaj, tha se edukimi i një specialisti financiar duhet të fillojë nga një standard i lartë integriteti, edhe për rëndësinë që ka ndërmjetësimi financiar në ekonominë e një vendi.
Në konkursin e organizuar nga Shoqata e Bankave, morën pjesë studentë të fakulteteve ekonomike në Universitetin e Tiranës, Universitetin Luarasi dhe në Tirana Business University.
Konkursi konsistonte në përgatitjen e propozimeve që banka i bën një institucioni apo biznesi për bashkëpunim, duke paraqitur shërbimet dhe produktet në një format përfitimi të ndërsjelltë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.