Java në tregje – Franca, Britania dhe FED në fokus
Në krahasim me dy muaj më parë, gjërat në Europë janë përmbysur tërësisht. 7 javë më parë, Britania i drejtohej zgjedhjeve të parakohshme, me besimin e sigurt të kryeministres May, por edhe opinionit publik, që do të thellonte mazhorancën qeverisëse, ndërkohë që Emmanuel Macron, asokohe kandidat, ishte drejt një presidence pa mazhorancë.
Sot, May ka humbur me turp mazhorancën, ndërkohë që Emmanuel Macron është drejt fitores së mazhroancës më të thellë parlamentare që prej fitores së Charles de Gaulle në vitin e largët 1968, pavarësisht se garon me një parti që ka pak më shumë se 1 muaj që është krijuar.
Europa do të jetë javën e ardhshme në fokus të tregjeve financiare, dhe veçanërisht dinamika e skenës politike në Britani dhe zgjedhjet parlamentare në Francë.
Raundi i parë zhvillohet këtë fundjave dhe raundi i dytë të Dielën e ardhshme. Mes dy të dielave, në varësi të rezultatit do të ketë reagim edhe nga tregjet financiare, sidomos në tregun e këmbimit valutor.
Kjo, pasi tregjet e valutave, do të ndikohen edhe nga vendimi i Rezervës Federale gjatë javës. Shumëkush pret ndërhyrjen në takimin e Qershorit, dhe tregjet janë përgatitur për një ndërhyrje. Në rast se nuk do të vijë, atëherë ecuria e tregjeve mund të marrë një rrjedhë tjetër.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.