Java në tregje – Investitorët shënjestrojnë kompanitë dhe impaktin e luftës tregtare
Tregtia dhe lufta tregtare do të vijojë të jetë në fokus të tregjeve dhe investitorëve edhe javën që vjen, por kësaj here me një tjetër fokus. Korporatat do të publikojnë raportet e tyre të tremujorit sëbashku me planet për të ardhmen.
Investitorët presin kështu të marrin vesh se a do të ketë impakt lufta tregtare në planet e biznesit. Më saktë, a projektohen shkurtime të planeve të investimeve nga korporatat?
Investitorët i tremben kështu faktit se, lufta tregtare me Kinën, që është edhe partneri më i madh tregtar i shteteve të bashkuara, do të nxisë kompanitë që të shtyjnë planet e tyre për investime kapitale.
Ditën e Premte lufta tregtare mes dy superfuqive më të mëdha ekonomike të botës kaloi në një tjetër nivel. Tashmë dy shtetet kanë vendosur tarifa në vlerën e 34 miliardë dollarëve për produktet e njëra-tjetrës, duke sinjalizuar se konflikti është larg përfundimit.
Kompanitë që operojnë në sektorin e makinerive, aeronautikës dhe të tjera në sektorin industrial kanë qenë më të goditurat në bursë, duke bërë që nën-indikatori i sektorit të S&P 500 të bjerë me 5% që prej datës 1 Mars, kur Donald Trump njoftoi vendosjen e tarifave mbi importin e aluminit dhe çelikut.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.