Java në tregje – Trump, G7, SHBA dhe Eurozona në fokus
Gjatë javës së ardhshme në tregje do të ketë zhvillime interesante. Skandali që ka përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe që gjeneroi një rënie te ndjeshme të bursave gjatë javës së kaluar, pritet të vijojë të jetë në qendër të tregjeve edhe gjatë kësaj jave.
Gjatë javës pritet gjithashtu që të flasin një sërë ligjbërësish të Rezervës Federale. Çdo koment i tyre për ecurinë e politikave monetare do të ketë impakt në tregjet e kapitalit.
Rezerva Federale pritet të publikojë gjithashtu procesverbalin e takimit të muajit Maj, nga ku do të kuptohet më shumë drejtimi i institucionit sa i përket politikave monetare dhe kohës së ndërhyrjes.
Në fundjavë ndërkohë do të nisë edhe takimi i G7-ës në Taormina. Vetë Donald Trump do të takohet me liderët e 7 vendeve më të industrializuara të globit ditën e Premte dhe të Shtunë.
Pritet që ndaj Trump liderët të ushtrojnë presion sa i përket çështjeve të ndryshme, dhe sidomos sa i përket tregtisë së lirë. Për të dhënat ndërkohë, gjatë javës pritet të publikohen shifrat përfundimtare të rritjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara për tremujorin e parë, ku pritet të ketë një rishikim në territor pozitiv.
Të Enjten, nga Britania do të vijnë shifrat e rritjes ekonomike për tremujorin e dytë. Të Martën në Eurozonë do të publikohen në seri një sërë të dhënash me interes për tregjet, si indeksi PMI i Markit, si për sektorin industrial ashtu edhe për atë të shërbimeve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.