Java nis me rënie – në SHBA rritet prodhimi, OPEC jo bindëse

Luhatshmëria e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare vijon të thellohet ndjeshëm. Gjatë sesionit të parë të javës, çmimet janë regjistruar në rënie, duke marrë shtysë nga rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në çelje të sesionit të sotëm, nafta brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 51.42 dollarëve për fuçi, në rënie me 0.66% në krahasim me sesionin e së premtes. Nafta Bruto amerikane ndërkohë kuotohej pranë nivelit të 48.30 dollarëve për fuçi.
Investitorët argumentojnë se rënia e çmimeve vjen si pasojë e aktivitetit të shtuar të shpim-kërkimit në shtetet e bashkuara, çka sinjalizon se prodhuesit vendas as që kanë ndërmend të ulin prodhimin, përkundrazi.
Nga ana tjetër, vendet e OPEC vijojnë të prodhojnë në nivele të larta, pavarësisht angazhimit për të shkurtuar prodhimin me 1.8 milionë fuçi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.