Java nis me rritje – OPEC nxit çmimet, marrëveshja mund të jetë surprizë

Çmimet e naftës u regjistruan në rritje gjatë sesionit të parë të javës, duke marrë shtysë nga raportimet se, marrëveshja e OPEC nuk do të mjaftohet vetëm me shtyrjen në kohë të strategjisë së shkurtimit të prodhimit por do të thellohet më tej edhe me sasinë e shkurtimit.
Në çelje të sesionit të sotëm, Nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 53.93 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 50.62 dollarëve për fuçi. Të dy benchmarkët kryesorë janë ngjitur me mbi 10% që prej niveleve rekord minimale të prekura më herët gjatë majit.
Opsioni i thellimit të shkurtimit të prodhimit është diskutuar në fundjavë, përpara mbledhjes periodike të organizatës, më 25 maj. Prej 1 janarit të këtij viti, OPEC dhe Rusia kanë shkurtuar prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, por kjo duket se nuk mjafton për të balancuar tregun.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.