Javë e dobët për tregun e aksioneve – Investitorët botëror tërheqin $20 mld, prej “traumës tregtare”
Investitorët kanë tërhequr më shumë se 20 miliardë dollarë nga titujt botëror të kapitalit në javën e kaluar, ç’ka përkon me tensionet tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe tregon ndikimin te tregjet financiar.
Sipas një analize të fluksit të fondeve nga Merill Lynch, paraja cash që ka dalë nga fondet e titujve të kapitalit këtë javë, ishte e treta më e madhe për vitin. Kjo erdhi ndërkohë që presidenti Donald Trump kërcënoi tarifa ndaj mallrave kinezë, duke shtuar përplasjen tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Fondet e kapitalit në SHBA patën fluks dalës prej mbi 14 miliardë dollarë, sasia më e madhe që prej muajit Janar.
Sipas të dhënave të investitorëve institucionalë dhe individualë, fondet europiane patën dalje prej 2.5 miliardë dollarë, ndërsa tregjet në zhvillim, në 1.3 miliardë dollarë. Sipas Bank of America Merill Lynch, kjo reflekton “traumën tregtare”. Në total, flukset dalës nga fondet e kapitalit kanë arritur 116 miliardë dollarë në vitin 2019 dhe pritet të rezultojë në vitin më të keq që prej 2016-ës. Titujt e borxhit, që perceptohen si aktive të sigurta në periudha të stresit, patën javën e 18 radhazi të hyrjeve, me 7.3 miliardë dollarë vetëm javën e kaluar.
Sipas Merill Lynch, letrat me vlerë të mbështetura me kredi hipotekore, borxhi i tregjeve në zhvillim dhe titujt me yield të lartë, kanë tërhequr paranë më të madhe, duke reflektuar “gjuetinë për yield” ndërkohë që pritet një rënie e interesave më vonë. Tregjet botëror të aksioneve kanë pasur shitje të mëdha këtë javë prej tensioneve mes Washingtonit dhe Pekinit. Indeksi Dow Jones në SHBA, ka humbur mbi 650 pikë këtë javë, ndërsa S&P 500, ka rënë me 2.5%.
Pas një paralajmërimi të Trump javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara rritën tarifat në 25% nga 10%, ndaj 200 miliardë dollarë mallrave kinezë ditën e Premte. Në kundërpërgjigje, Pekini tha se do të ndërmarrë kundërmasa, pa dhënë detaje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.