Javën tjetër nis Konferenca e Zhvilluesve e Google – Ja çfarë risish priten
Konferenca vjetore për zhvilluesit e Google, e quajtur “I/O” në respekt të sistemit binar, nis të mërkurën më 17 Maj në Mountain View, Kaliforni. Krahas disa seminareve dhe asistencës teknike, kompania ka ndërmend të prezantojë edhe risi, projekte dhe nisma të ardhshme.
Android O
Sistemit të operimit për celularë, Android, i ka ardhur radha për një përditësim. Disa nga veçoritë e këtij sistemi do të jenë përmirësimi i jetës së baterisë, aftësia për të ndërthurur figurat dhe për të shtyrë njoftimet për më vonë. Bashkë me të do të prezantohet edhe emri zyrtar, që mendohet të jetë Oreo, sipas kompanisë së biskotave.
Google Home
Debutimi i asistentit zanor të Google në shtëpi ishte pikërisht në konferencën e kaluar I/O. Megjithëse nuk është e sigurt se do të prezantohet një version i ri, të paktën do të ketë përmirësime në sistemin e tij.
Asistenti Google
Aktualisht Google Assistant është i disponueshëm në disa platforma si Android Wear, Android Auto dhe nëpër disa celularë. Presim që aftësitë e asistentit të shtrihen më tej, si dhe të prezantohen disa opsione të reja për të konkurruar Siri dhe Alexa.
Google VR
Vjet u prezantua pajisja VR e kompanisë, ndërsa me vijimin e investimeve në këtë fushë, duke blerë së fundmi studion e lojërave Owlchemy Labs, priten të tjera risi. Platforma e realitetit virtual Tango tashmë është pjesë e ekipit të realitetit virtual dhe pritet të prezantohet një kombinim i të dy teknologjive.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.