Javën tjetër qeveria nis takimet në Bruksel – Rama pritet nga Presidenti i KE Juncker dhe Mogherini

Qeveria shqiptare do të zhvillojnë javën e ardhshme takime të nivelit të lartë në Bruksel, mbi temën e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Axhenda e Komisionit Europian, zbardhur nga SCAN, tregon se Kryeministri Edi Rama, Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, si edhe Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj do të priten nga zyrtarët më të lartë të unionit.
Takimet do të nisin që ditën e hënë, kur ministri Bushati do të takojë zëvendëspresidentin e KE, Frans Timmermans. Ministri i jashtëm do të pritet dhe nga Dimitris Avramopoulos, komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin.
Këto dy takime të kryediplomatit shqiptar, paraprijnë ato të nivelit të lartë që do të zhvillohen nga kryeministri. Ditën e martë, Rama do të takojë Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, si edhe nga Federica Mogherini, përfaqësuasje e lartë për punët e jashtme.
Axhenda përmbyllet me takimin me ministrit Xhafaj dhe komisionerit Avramopoulos ditën e mërkurë.
Takimet vijnë në një moment pasi qeveria është shprehur pozitive për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm dhe pas letrës së Ramës dërguar kryeministrave të vendeve të unionit. Megjithatë kjo axhendë, dhe sidomos takimet me Avramopoulos tregojnë se BE kërkon më parë siguri nga Shqipëria për çështjet e migracionit.
Gjatë këtyre datave, një ditë pas Ramës, Juncker dhe Mogherini do të presin edhe kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.