Jemi vendi më i pastër në rajon! – OKB: Por, Shqipëria ka ndër normat më të larta të vdekjeve nga ndotja

Shqipëria është vendi më i pastër në rajon dhe këtë e thotë një dokument i ri i Organizatës së Kombeve të bashkuara sa i përket niveleve të ndotjes në Ballkanin Perëndimor.
Në thuajse çdo indikator, vendi ynë rezulton të jetë vendi më pak i kontaminuar. Me rreth 2.2 ton dioksid karboni emetime për frymë, Shqipëria rezulton të jetë vendi më pak i ndotur në rajon. E njëjta gjë vlen edhe për dioksidin e karbonit në raport me masën e ekonomisë. Edhe sa i përket gjurmës ekologjike që mat nevojën e popullsisë për të marrë nga natyra, Shqipëria renditet në pozicionin më të favorshëm në rajon.
Indikatori PM 2.5, i grimcave që janë edhe treguesi numër një i ndotjes së ajrit, Shqipëria ka performancën më të mirë në rajon. Grafiku e tregon qartë edhe këtu diferencën me fqinjët, por edhe me mesataren europiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Por, pavarësisht këtyre shifrave që tregojnë nivelin më të ulët të ndotjes në rajon, paradoksalisht, Shqipëria ka nivelin e dytë më të lartë në rajon të vdekjeve si pasojë e ndotjes së ajrit.
Pra, në Shqipëri, ndotja vret, dhe madje më shumë se fqinjët tanë, paçka se jemi më të pastër sipas shifrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.