Jo më raporte mjekësore “nëpër duar” – AKSHI shpall tenderin/ Kur do të ngrihet platforma dixhitale?
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur një tender me fond 105.2 milionë lekë për “raportet mjekësore elektronike”.
“Implementimi i sistemit informatik të raporteve mjekësore do të sillte shumë avantazhe, si nga pikëpamja e punëmarrësit/qytetarit ashtu edhe nga pikëpamja e punëdhënësit, si dhe do t’i shërbente organeve të politikëbërjes dhe vendimmarrjes shëndetësore” specifikohet në detajet e tenderit.
Sipas projektit të shpallur në Agjencinë e Prokurimit, objektivat e kalimit në sistem dixhital të raporteve mjekësore, janë eliminimi i dorëzimit fizikisht të raportit, lehtësimi i procedurave të lëshimit të raportit, informimi në kohë reale i punëdhënësit mbi mungesën e punonjësit, si dhe shmangia e abuzimeve.
“Sistemi ka për qëllim automatizimin e procesit të krijimit, përshkrimit, nënshkrimit dhe ekzekutimit të raportit mjekësor që lëshohet nga mjekët. Sistemi do të shtrihet në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private të ofrimit të kujdesit shëndetësor ne Republikën e Shqipërisë dhe çdo qytetar që paraqitet pranë këtyre institucioneve shëndetësore për të marrë raport mjekësor, pas vizitës nga mjeku do t’i lëshohet raport mjekësor i nënshkruar elektronikisht sipas afateve kohore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi” specifikohet më tej në tenderin e AKSHI.
Afati kohor për ekzekutim është 9 muaj, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.