Jo vaksinim për fëmijët 12-15 vjeç – Komiteti i Vaksinimit në Britani nuk e konsideron të nevojshëm për të shëndetshmit
Këshilltarët e vaksinave të Britanisë thanë se nuk do të rekomandojnë vaksinimin kundër COVID-19 të të gjithë fëmijëve 12 deri në 15 vjeç, duke preferuar një qasje paraprake tek fëmijët e shëndetshëm për shkak të një efekti të rrallë anësor të inflamacionit të zemrës. Ekspertët vendosën në këtë mënyrë që Britania të ndjekë një qasje të ndryshme ndaj Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe disa vendeve europiane, që kanë përhapur më gjerësisht vaksinimet ndaj fëmijëve.
Megjithatë një vendim përfundimtar nuk është marrë, pasi qeveria britanike tha se do të konsultohej sërish me këshilltarët mjekësorë për të parë ndikimin edhe të disa faktorë të tjerë. Shumë politikanë dhe disa shkencëtarë janë shprehur në favor të vaksinimit të më shumë fëmijëve mes shqetësimit se COVID-19 mund të përhapet në shkollat që rihapen pas pushimeve verore.
Britania ka raportuar më shumë se 133,000 vdekje nga COVID-19 dhe gati 7 milionë raste dhe ndërsa transmetimi mes fëmijëve mund të jetë i lartë, ata rrallë janë të sëmurë rëndë nga kjo sëmundje. Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin deklaroi se fëmijët me imunitet më të dobët janë më të rrezikuar nga COVID-19 dhe duhet të vaksinohen.
Sidoqoftë, Komiteti tha se donte më shumë informacion mbi efektet afatgjata të raporteve të rralla të inflamacionit të zemrës, të njohur si miokardit, tek të rinjtë pas vaksinimit me injeksionin Pfizer.
Komiteti gjithashtu pritet të këshillojë për një program të mundshëm përforcues të vaksinave për të moshuarit dhe më të prekurit, që mund të fillojë këtë muaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.