Jo vetëm Bushati e Kotzias – Trump ofrohet si ndërmjetës për Detin e Kinës Jugore

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh të dielën se është i gatshëm të ndërmjetësojë mes palëve që kanë kërkesa për Detin e Kinës Jugore. Bëhet fjalë për pesë shtete: Brunei, Malajzia, Indonezia, Filipina dhe Vietnami që kundërshtojnë pretendimet e Kinës.
Trump fliste nga Vietnami, i cili është edhe kundërshtari që ka folur më tepër kundër kërkesave të Kinës dhe ndërtimit e militarizimit të ishujve artificialë në këtë det. Zona detare është e rëndësishme pasi rreth 3 trilion dollarë mallra kalojnë përmes saj çdo vit.
“Nëse mund të ndihmoj të ndërmjetësoj ose abritroj, ju lutem ma bëni të ditur. Jam një ndërmjetës dhe arbitër shumë i mirë”, u shpreh Trump gjatë takimit me presidentin e Vietnamit, Tran Dai Quang.
Presidenti Quang nga ana e tij u shpreh se beson në zgjidhjen e diskutimeve përmes negociatave paqësore dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare, të cilat sipas Vietnamit anulojnë kërkesat e Kinës.
Vietnami ka rimarrë disa toka rreth barrierave koralore apo ishujve të vegjël, por shumë larg shkallës që po operon Kina. Qëkurse presidenti filipinas Rodrigo Duterte është afruar me Kinën, Vietnami është shfaqur si sfiduesi kryesor i Kinës në rajon.
Në Korrik, Kina i bëri presion Vietnamit të ndalonte shpimin për naftë në zonën e pretenduar, duke i çuar marrëdhëniet në krizë. Por prej atëherë, ato janë përmirësuar dhe presidenti kinez Xi Jinping do të vizitojë Hanoin më vonë gjatë të dielës.
Çështja detare është diskutuar gjatë turit 12-ditor të Trump në Azi dhe sekretari i shtetit, Rex Tillerson thotë se SHBA dhe Kina kanë patur një shkëmbim pikëpamjesh.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.