Juncker i hap “derën” Ballkanit – “Anëtarësimi, një shans që s`duhet ta humbasim, as ne, as ju”

Jean Claude Juncker u shpreh i bindur se, Bashkimi Europian do të ketë më shumë se 27 anëtarë gjatë viteve në vijim. Pavarësisht kësaj, ai deklaroi se, kjo nuk do të ndodhë brenda mandatit të tij, që skadon në vitin 2019.
“Kriteret për hyrjen e anëtarëve të rinj nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Europian nuk do të përmbushen dot brenda fundit të mandatit aktual të Komisionit Europian”, deklaroi Presidenti i komisionit.
Sipas tij, prioriteti absolut për vendet kandidate është sundimi i ligjit, dhe ky kriter është i panegociueshëm. “Era është sërish në favor të Europës. Ne sot kemi një dritare të hapur, por që nuk do të qëndrojë e tillë përgjithmonë. Nuk duhet të humbasim momentin, le të kapim erën në velat tona”, deklaroi Jean Claude Juncker duke i`u referuar qartë faktit se ky është një shans që nuk vjen më.
Brexit ka lënë boshllëqe në union dhe ka nxitur domosdoshmërinë për reformim. Pjesë e reformimit është edhe zgjerimi i unionit, me vendet e Ballkanit perëndimor si kandidate kryesore për anëtarësim.
Sipas Juncker, një ndër sfidat e Bashkimit Europian sot është krijimi i një projekti të besueshëm zgjerimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, çka nënvizon faktin se, nuk janë vetëm vendet kandidate që duhet të shfaqin vendosmëri dhe vullnet për anëtarësim, por edhe vetë Bashkimi Europian.
Deklaratat e Juncker u bënë gjatë fjalës së tij mbi një orë të gjatë në atë që njihet si “State of the Union”. Juncker duke folur për reformimin e Europës, mbështeti haptazi edhe idenë e një ministri të përbashkët financash në rajon.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.