Juncker komenton deklaratat e Erdogan: Turqia po distancohet nga BE

Presidenti i Komisionit Europian ka reaguar mbi deklaratat e Turqisë që cilësojnë qeveritë e Gjermanisë dhe Holandës si naziste. Në një fjalim në Parlamentin Europian, Jean Claude Juncker dënoi këto deklarata që vijnë nga Turqia.
“U skandalizova nga ato çfarë u tha nga Turqia për Holandën, Gjermaninë dhe vende të tjera. Nuk do ta pranoj kurrë një krahasim midis nazistëve dhe qeverive aktualisht në pushtet. Turqia po e distancon veten nga BE, në vend që të përpiqet të anëtarësohet”, tha Juncker.
Presidenti i KE vijoi duke thënë se është Turqia që po anëtarësohet në BE dhe jo anasjelltas.
“Lufta” mes BE-së dhe Erdogan vjen në një kohë kur Turqia përgatitet të mbajë një referendum për rritjen e fuqive të presidentit. Një votë pro do të nënkuptonte pushtet absolut për presidentin, çka është gjykuar si i tepërt nga Këshilli i Europës.
Sondazhet tregojnë se 40% e qytetarëve në Turqi janë pro ndryshimeve, 40% kundër dhe pjesa tjetër janë të pavendosur.
Ndërkohë, Holanda, vendi që Erdogan e quajti “republikë bananesh” dhe “mbetje e nazizmit”, është burimi më i madh i investimeve të huaja në Turqi. Konflikti verbal mes Turqisë dhe BE-së ka ngjallur pasiguri tek bizneset e huaja që kryejnë aktivitet në vend.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.