Juncker për Brexit: “Nuk ka negociata për ekonominë, pa zgjidhur divorcin”

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker deklaroi se negociatat mes Brukselit dhe Londrës sa i përket marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve nuk mund të fillojnë pa u zgjidhur çështja e divorcit.
Britania dhe Bashkimi Europian mbajnë raundin e tretë të bisedimeve këtë javë. Brukseli ka deklaruar se prioritet për të është çështja e të drejtave të qytetarëve europianë dhe britanikë, marrëveshja financiare, si dhe ajo e kufirit mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut.
“Dua të jem i qartë se unë i kam lexuar të gjitha dokumentet e qeverisë britanike me vëmendje, dhe asnjë prej tyre nuk është i kënaqshëm. Pra ka shumë çështje të cilat duhen zgjidhur”, nënvizoi numri një i Komisionit Europian.
“Duhet të jemi të qartë si kristali se nuk do të nisim asnjë negociatë për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve përpara se të zgjidhen këto çështje. Nuk mund t`i ngatërrojmë këto çështje”-shtoi ai. Në fillim zgjidhim të shkuarën, pastaj shohim të ardhmen”, mbylli Juncker fjalën e tij.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.