Juncker për “hard” Brexit “- Po përpiqemi ta shmangim. Nëse ndodh, e ka fajin Britania”
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se ai dhe negociatori kryesor i Brexit, Michel Barnier, po bëjnë gjithçka për të arritur një marrëveshje për Brexit.
Juncker shtoi se nëse kjo dështon, atëherë do të jetë përgjegjësia e Britanisë. Presidenti tha se po punojnë në mënyrë intensive për të arritur një marrëveshje, për shkak se do të jetë katastrofike për Britaninë dhe Europën, nëse ndodh dalja pa marrëveshje.
Data zyrtare e daljes së Britanisë, që është shtyrë për të tretën herë, është 31 Tetori. Zyrtarët në Bruksel thonë se Kryeministri Boris Johnson ka bërë fare pak progres në negociatat e një marrëveshjeje të re për të zëvëndësuar atë të arritur nga paraardhësja e tij, Theresa May.
Kjo e fundit u refuzua tre herë në parlament, ç’ka tregon kompleksitetin e arritjes së një marrëveshjeje të duhur. Juncker shtoi se negociatat mbi një marrëdhënie të ardhshme tregtare mes Britanisë dhe Bashkimit Europian do të vështirësohen shumë nëse ndodh “hard” Brexit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.