“Ka ardhur koha e Greqisë” – Juncker: Masa për lehtësimin e borxhit, jo më shtrëngime

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i bëri apel vendeve anëtare të Eurozonës që t`i mundësojnë Greqisë më shumë masa për lehtësimin e borxhit, pasi sipas tij, Athina ka nevojë për ndihmë pas progresit galopant që ka bërë me reformat.
Ministrat e financave të Eurozonës do të takohen në Bruksel më 22 Maj për të diskutuar mbi progresin që është bërë me rishikimin e dytë të programit të shpëtimit të Greqisë, që shtyhet prej muajsh.
“Masat për lehtësimin e borxhit, e kam fjalën për ato të arsyeshmet, janë thelbësisht të nevojshme. Në Maj, ministrat duhet të parashtrojnë masat“, deklaroi numri një i Komisionit Europian.
Deklaratat e Juncker i vijnë në ndihmë Athinës zyrtare por edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Greqisë i duhet domosdoshmërisht një lehtësim i borxhit, pas 7 viteve masa shtrënguese, ndërkohë që FMN ka kushtëzuar vazhdimisht përfshirjen e saj në programin e tretë të shëptimit të Greqisë me lehtësim të borxhit helen.
Për Juncker ka ardhur koha që Greqisë t`i bëhen lëshime, dhe jo më shtrëngime. “Duhet të pranojmë se Greqia ka bërë një progres galopant dhe instistimi për shkurtime të mëtejshme të pagave dhe pensioneve do të ishte një këshillë e keqe“, shtoi ai.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.